Besar Ademi
04 Tetor 2017•Përditësim: 05 Tetor 2017
SHKUP (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Luksemburgut, Jean Asselborn, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, deklaroi se “pas diskutimeve dhe zgjidhjes me Bullgarinë që ishte me rëndësi të madhe, hapi tjetër i Maqedonisë është zgjidhja e problemit me Greqinë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri Asselborn, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin Dimitrov, shprehu shpresë se Matthew Nimetz, përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, do të gjejë një zgjidhje, e cila sipas tij, do të ndihmojë Maqedoninë të ecë në binarë më të mirë në aspiratat e saj euro-atlantike.
Lidhur me pyetjen se kur Maqedonia do të mund të fillojë negociatat për anëtarësim, ai tha se çdo shteti që është pjesë e Evropës duhet t’i jepet mundësia të jetë pjesë e BE-së dhe për këtë, sipas tij, shtetet e Ballkanit duhet të ndihmohen në këtë rrugë dhe jo të jenë të vetëm.
“Fillimisht, të gjitha ato vende që janë pjesë e Bashkimit Evropian duhet t’u mundësohet të jenë pjesë edhe të Eurozonës dhe Zonës Shengen, nëse ato i përmbushin kushtet. E njëjta vlen edhe për të gjitha vendet e Ballkanit, që janë në oborrin e Evropës. Ato nuk janë në oborrin e Rusisë, Kinës apo Amerikës, janë në oborrin e Evropës. Është në dorën e BE-së që të angazhohet dhe të ketë energji për të gjetur së bashku zgjidhje”.
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Dimitrov bëri të ditur se në takim homologut të tij i ka paraqitur qëndrimin e Qeverisë për aspiratat e vendit për anëtarësim në NATO dhe BE. Ai theksoi se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ketë një “ndikim të shkëlqyer” për stabilitetin e vendit, por edhe të rajonit.
“E njoftova me historinë tonë pozitive dhe e binda se do të bëjmë gjithçka që është e mundur që deri në fund të këtij viti të bindim Komisionin Evropian të na japë rekomandim të pastër. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur t’i bindim edhe fqinjët tanë dhe miqtë tonë evropianë se Maqedonia vitin e ardhshëm duhet të fillojë qasjen dhe negociatat me Bashkimin Evropian”, deklaroi Dimitrov.
Në kuadër të vizitës, Jean Asselborn do të realizojë takime edhe me zv/kryeministrin e angazhuar për Çështe Evropiane, Bujar Osmani, ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërsa do të pritet edhe nga presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, kryeparlamentari Talat Xhareri dhe kryeministri Zoran Zaev.