Ahmet Gençtürk
15 Prill 2022•Përditësim: 15 Prill 2022
Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm i Holandës, Wopke Hoekstra diskutuan të enjten për luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës dhe çështje të tjera, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, gjatë takimit të tyre në kryeqytetin Washington D.C., në krye të agjendës ishin zhvillimet e fundit në lidhje me luftën.
Duke dënuar mizoritë e kryera nga Rusia në qytetin Bucha dhe gjetkë në Ukrainë, ata nënvizuan mbështetjen e tyre për të mbajtur përgjegjës personat që qëndrojnë pas këtyre akteve, thuhet në deklaratë.
Deklarata vuri në dukje se Blinken dhe Hoekstra ranë dakord për nevojën e vazhdimit të ofrimit të ndihmës humanitare dhe sigurisë për Ukrainën dhe për të rritur presionin ndaj Rusisë.
Blinken tha se SHBA-ja favorizon një mbrojtje më të fortë evropiane kompaktibile me NATO-n. Blinken dhe Hoekstra trajtuan gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe si dhe përmirësimin e tyre.
Të paktën 1.932 civilë janë vrarë dhe 2.589 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së, kurse shifra reale besohet të jetë shumë më e lartë.
Më shumë se 4.7 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe mbi 7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, tregojnë të dhënat e fundit nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët.