MÜCAHİT TÜRETKEN
STAMBOLL (AA) - Katër të rinj të Lëvizjes Juxhel, e cila ishte themeluar për të mbrojtur vlerat kombëtare dhe shpirtërore të turqve të Maqedonisë, sot përkujtohen në 70-vjetorin e ekzekutimit të tyre nga ana e pushtetit të Jugosllavisë socialiste më 27 shkurt të vitit 1948.
Studiuesi dhe shkrimtari Yıldırım Ağanoğlu, i cili ka shkruar librin "Lëvizja Juxhel: Një luftë e rezistencës në Jugosllavi gjatë Luftës së Dytë Botërore", në një prononcim për Anadolu Agency (AA) në lidhje me ekzekutimin e katër të rinjve, tha se themelet e lëvizjes ishin hedhur në vitin 1941, kur Shkupi ishte nën pushtimin bullgar në Luftën e Dytë Botërore, nga intelektualët e rinj turq Shuajb Aziz, Nazmi Omer, Sherafedin Ferid, Fetah Sulejmanpashiç dhe Mehmed Dalip.
Më pas, thotë Ağanoğlu, shumica e anëtarëve të lëvizjes përbëheshin nga mësues të rinj.
Ai tregon se të rinjtë në fillim lexonin Namik Kemalin, Safahatin e Mehmet Akif Ersoy-it dhe poezitë e Mehmet Emin Yurdakul-it, siç thekson studiuesi, ata mblidheshin për të forcuar vetëdijen mbi turqizmin mes tyre dhe përkushtimin ndaj Islamit dhe se asnjëherë nuk kishin kryer ndonjë akt të armatosur.
Ağanoğlu tregon se atë kohë juxhelët ishin angazhuar vullnetarisht si gardianë për të penguar bastisjen e Konsullatës së Turqisë në Shkup nga ana e okupatorëve bullgarë.
Duke folur rreth emërtimit të lëvizjes, Ağanoğlu thotë:
"Emri lëvizjes i është dhënë personalisht nga kryetari i saj, Shuajb Aziz, i cili ishte i diplomuar nga Al-Azhari. Dashuria dhe karakteri i lirisë, ngritjes (jukselme) dhe glorifikimit (juxhelme) të turqve, të cilët kishin themeluar 16 perandori dhe shumë shtete, është përfaqur edhe në flamujt e tyre. Shqiponja, gjysmëhëna, pesë yjet, gjysmëhëna dhe ylli janë disa nga simbolet në këto flamuj. Fjala e vetme për kuptimin e këtyre simboleve është 'i lartësuar dhe i lartë'. Emri 'Juxhel' është parulla e një veprimi që synon ngritjen".
Ağanoğlu shpjegoi edhe periudhën pas Luftës së Dytë Botërore dhe themelimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë nën udhëheqjen e Titos në vitin 1945.
"Pas përfundimit të okupimit bullgar, juxhelët e rinj fillimisht nxjerrin gazetën Birlik (Bashkimi) në gjuhën turke. I përkthejnë në turqisht dramat teatrale. Fillojnë me transmetime nëpër radio dhe organizojnë kurse për mësues. Ata thonin, 'Në tokat tona po themelohet një shtet socialist. Po mbrohet vëllazëria dhe barazia mes popujve. Atëherë, edhe ne të marrim pjesë brenda administratës së re dhe të mundësojmë përfaqësimin e barabartë të turqve në shtet'. Ky ishte qëllimi i tyre. Për shembull, gjykatësi Nazmi Omer ishte i angazhuar në Gjykatën e Shkupit. Shumë të rinj që ishin mësues ishin me detyrë në shkolla të sapothemeluara. Megjithatë, ata u akuzuan si lëvizje terroriste dhe spiunuese dhe u gjykuan ende pa u shkruar Kodi Penal i Jugosllavisë, edhe pse ata nuk kishin kryer asnjë akt të armatosur. U pandehën si spiunë të Turqisë, por kur lëvizja u themelua shteti i Jugosllavisë as që ekzistonte, por ishte okupimi bullgar. Ka një kontradiktë. Regjimi i Titos shoi dhe ndëshkoi rëndë, përfshirë ekzekutimin, edhe strukturat si nacionalistët serbë 'Mihajllovistët', Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare e nacionalistëve shqiptarë dhe Muslimanët e Rinj të themeluar nga Alija Izetbegoviç në Bosnjë. Edhe Lëvizja Juxhel mund të vlerësohet në këtë mënyrë", thekson Ağanoğlu.
Brenda 6 ditëve, u gjykuan dhe u dënuan me ekzekutim pa avokatë
Ağanoğlu shpjegon se pas arrestimit të tyre, ndaj juxhelëve u ushtruan tortura të mëdha dhe u gjykuan në mënyrë joligjore pasi nuk u lejua të angazhonin avokatë, duke shtuar se ata ishin dënuar me ekzekutim dhe dënime të rënda me burgim pas gjykimit i cili zgjati vetëm gjashtë ditë.
Sipas tij, regjimi komunist synonte t'i eliminojë të gjitha elementet që i konsideronte si kërcënim.
"Fillimisht, 17 juxhelë arrestohen dhe pasi u torturuan për tre muaj në burgje, u nxorën në gjykatë më 19 janar të vitit 1948. Në gjykatën e cila zgjati vetëm gjashtë ditë, katër personave u shqiptua dënim me vdekje. Këta persona ishin Shuajb Aziz, Adem Ali, Ali Abdurrahman dhe Nazmi Omer. Si rezultat i të gjitha gjykimeve, gjithsej 64 persona morën dënime të rënda. Në fakt, numri i anëtarëve ishte shumë më i madh, por u kapën dhe u akuzuan kaq njerëz për arsye se ajo ishte strukturë e cila nuk mbajti regjistrime", thotë Ağanoğlu.
Në mesin e trupit gjykues gjendej edhe një gjykatës turk me emrin Remzi Shakir, i cili ishte bashkëpunëtor i regjimit, shpjegon Ağanoğlu.
Ekzekutimi i katër personave të lëvizjes, siç thotë Ağanoğlu, është kryer me pushkatim para një shkëmbi në një fshat në afërsi të Shkupit.
"Pushkatimi është ndëshkim që zbatohet për tradhtarët e atdheut. Zbatuan një ndëshkim poshtërues. Më pas, nuk i treguan askujt se ku i kanë varrosur kufomat e tyre, në mënyrë që të mos shndërrohen në një qendër vizitash dhe heronj", vlerëson Ağanoğlu.
Shënim në letrën e çokollatës
Duke treguar se kreu i lëvizjes, Shuajb Aziz, është lejuar të takohet për herë të fundit me familjen e tij pas shqiptimit të dënimit me vdekje, Ağanoğlu shprehet:
"Nuk lejohej shkëmbimi i letrave dhe lënia e testamentit. Disa ditë para ekzekutimit, ai u takua me familjen. Familja shkon në vizitë me një kuti me çokollata. Pas shkuarjes së familjes së tij, Shuajb Aziz shkruan një letër të dhimbshme në një pjesë të vogël të letrës së çokollatës. Në formë ruli, ai vendos letrën në astarin e pantallonave. E dinte se pas ekzekutimit rrobat e tij do t'i dorëzoheshin familjes dhe letra do t'u shkonte. Origjinali gjendet te nxënësi im Eren Eriş, gjyshërit e të cilit ishin juxhelë dhe i cili përgatit disertacion në lidhje me këtë temë".
Siç thotë Ağanoğlu, në letrën e shkruar në turqishten osmane shkruan si në vijim:
"Shoqja ime e jetës Nigar, bijtë e mi Ylker, Turan, Ertan dhe biri im i vogël (Arslan), tani më po ndahem prej jush. Nuk arrita të kënaqem mjaftueshëm me ju. Kështu paska qenë e shkruar. Nigar, ti je siguri për bijtë e mi. Kujdesu për ta si për sytë. Edhe mua mos më harro. Më bëj hallall hakun. Edhe nëna jote më bëftë hallall hakun. Edhe vëllai yt. Ju dërgoj përqafime. Gjithnjë puth dhe ledhato fëmijët për mua. Përpiqu t'i shkollosh. Mos i lë të jetojnë në atë shtëpi, por përpiqu në një tjetër ndërtesë. Që sot e tutje, fëmijët e mi nuk do të kenë baba, por vetëm nënë, edhe atë një nënë që nuk ka askënd. Le t'i besojnë asaj. Ma bëni hallall. Ma bëni hallall. Jam sakrifica e popullit tim".
"Rroftë Turqia"
Në ndërkohë, Nazmi Omer, i cili poashtu ishte në mesin e të ekzekutarve, siç thotë Ağanoğlu, ishte turku i parë që u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Beogradit. Ağanoğlu tregon se Nazmi Omer kishte kaluar nëntë muaj martesë në kohën kur u burgos dhe se i kishte lindur foshnje teksa ndodhej në burg.
"Bashkëshortja, nëna, babai, gjashtë vëllezërit e motrat shkojnë në burg së bashku me vajzën tremuajshe. Bashkëshortja e Nazmi Omerit të ekzekutuar, Haxher Juxhel, takimin e fundit e përshkruan me fjalët, 'Ai qëndronte në anën tjetër të telave. E pash vetëm çastin kur u mor brenda. Të gjithë qanim. Nuk mund ta shihte fytyrën dhe sytë e vajzës sime. Në dorë kisha një shami, të cilën ia dhash. 'Mos qani. Unë po shkoj, por po u lë në amanetin e miliona motrave dhe vëllezërve (Duke iu referuar Turqisë). Rroftë Turqia', tha ai. Nuk arrita t'ia shoh varrin'", rrëfen Ağanoğlu.
Vala e migrimit në Turqi
Sipas Ağanoğlu-t, në vitet më vonë, Tito kishte qasje më liberale ndaj feve dhe popujve të ndryshëm në krahasim me liderët dhe regjimet e tjera komuniste.
"Atë që e kërkuan juxhelët, Tito e dha si të drejtë në vitet 1950. E drejta për shkollim në gjuhën turke, kurset për mësues në gjuhën turke, gazetat në gjuhën turke, radio-programet, teatri... Çfarë lëvizje terroriste mund të jetë kjo pasi u njohën të gjitha ato që i kërkoi?", vlerëson Ağanoğlu, i cili shtoi se Jugosllavia e udhëhequr nga Tito kishte zhvilluar marrëdhënie të mira me Turqinë pas largimit nga kominformi dhe se vala e migrimit në Turqi kishte rifilluar me marrëveshje mes dy palëve.
Ağanoğlu pohoi se popullata turke ishte zvogëluar pas ekzekutimit të juxhelëve.
"Me inkurajimin e migrimit të lirë nga dy palët, mes viteve 1952 dhe 1957, afër 200 mijë turq, shqiptarë dhe boshnjakë që jetonin në Jugosllavi migruan. Këto migrime zgjatën deri në vitin 1967. Kjo ishte një lëvizje për zvogëlimin e popullatës turke dhe muslimane atje. Qeveritë e republikës kishin qëndrim inkurajues në vend të ndalimit të migrimit nga Ballkani, sepse, veçanërisht pas qeverisë së Partisë Demokratike, vendi kishte nevojë për popullsi të rritur të kualifikuar. Në Maqedoni ende jetojnë afër 100 mijë turq. Po të mos ishin migrimet pas vitit 1950, tani atje do të kishte një popullsi turke me ndikim", vlerëson ai.
Juxhelët përkujtohen në mevlude dhe takime
Ağanoğlu tregon se Federat e Shoqatave Rumeli të Ballkanit dhe Shoqata për Kulturë dhe Solidaritet e Turqve Rumeli, e cila ishte kryesuar edhe nga juxhelët që kishin ardhur në Turqi nga Shkupi, prej vitesh përkujtojnë dëshmorët me mevlude dhe takime në të dielën e fundit të muajit shkurt.
Në fund, studiuesi dhe shkrimtari Ağanoğlu thekson se turqit e Maqedonisë, të cilët avancuan në rrugën e hapur nga juxhelët, sot punojnë për miqësinë dhe vëllazërinë mes Maqedonisë dhe Turqisë, pasi kanë siguruar shumë të drejta demokratike.
news_share_descriptionsubscription_contact
