Dzihat Aliju
28 Shkurt 2017•Përditësim: 28 Shkurt 2017
SHKUP (AA) – Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, u organizua “Programi përkujtimor për dëshmorët e Lëvizjes Juxhel” me rastin e 69-vjetorit të ekzekutimit të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Në porgramin e organizuar në bashkëpunim nga Shkolla Fillore "Tefejuz" dhe Shoqata "Köprü", morën pjesë anëtari i Bordit drejtues të Fondacionit Humanitar Turk për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) Osman Atalay, shkrimtari hulumtues Yıldırım Ağanoğlu, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe qytetarë të Shkupit.
Në një deklaratë për media me këtë rast, Atalay u shpreh se kjo tragjedi e ndodhur në vitin 1944 në Maqedoni në fakt është tragjedi e ngjashme me dëbimin e Çerkezëve, atë në Krime dhe Kaukaz në vitin 1944.
Duke theksuar se atëbotë një pjesë e madhe e popullatës turke ishin detyruar të migrojnë, Atalay tha se “Mes viteve 1950 dhe 1967 në territorin e Maqedonisë janë detyruar në migrim drejt mëmëdheut të tyre afro 200 mijë muslimanë turq".
Atalay vuri në dukje se ndodhen këtu për ta paguar, siç theksoi ai, borxhin e “lojalitetit”, duke e theksuar nevojën për zhvillimin e punimeve për gjetjen e varreve të katër pjesëtarëve të Lëvizjes Juxhel të ekzekutuar në vitin 1948 dhe duke shtuar se për ta bartin një përgjegjësi historike.
Nga ana tjetër, drejtori i Shkollës Fillore "Tefefuz", Osman Emin, tha se janë mbledhur për ta përkujtuar përpjekjen e dhënë nga Juxhelët dhe se dëshirojnë që aktivitetet e tyre t’ua përçojnë brezave të ardhshëm.
Ndërkaq, Hüsrev Emin, kryetari i Shoqatës "Köprü", vuri në pah se mbledhjen e kanë organizuar për t’i përkujtuar njerëzit e kauzës të cilët janë përpjekur për t’i mbrojtur vlerat kombëtare dhe shpirtërore të turqve.
Në kuadër të programit u shfaq edhe filmi i shkurtër i cili rrëfen Lëvizjen e Juxhelëve, kurse u organizua edhe panel në lidhje me temën, në të cilin morën pjesë Atalay dhe Ağanoğlu.
Juxhelët
Turq muslimanë që jetonin në Maqedoni, në vitin 1937 filluan të mblidhen për t’i ruajtur dhe mbajtur të gjalla vlerat kombëtare dhe shpirtërore, si dhe adetet dhe traditat.
Në vitin 1945, organizata mori emrin “Juxhel”, ndërsa detyrën e kryetarit mori Shuajb Aziz Efendiu, i cili mësimet i kishte marrë në Medresenë e Ataullah Efendiut në Shkup, ndërsa më pas në Universitetin El Ezher në Egjipt në degën e fikhut, kelamit, tasavvufit dhe filozofisë perëndimore.
Me përpjekjet për shuarjen e të gjitha organizatave nacionaliste në Jugosllavi, në vitin 1947 filloi procesi i gjykimit për 16 persona të cilët paraprakisht u arrestuan. Më 25 janar të vitit 1948, gjykata vendosi për ekzekutimin e tyre, kurse më 27 shkurt të po të njëjtit vit me pushkatim u ekzekutuan Shuajb Aziz, Adem Ali, Ali Abdurrahman dhe Nazmi Omer. Ndërkaq, të tjerët u ndëshkuan me dënime të rënda me burgim.