Furkan Naci Top
24 Nëntor 2016•Përditësim: 25 Nëntor 2016
ATHINË (AA) - Mijëra punonjës nga sektori publik, mësues dhe mjekë në Greqi kanë zhvilluar një marshim për të protestuar kundër politikave shtrënguese, raporton Anadolu Agency (AA).
Më shumë se 3 mijë protestues të mbledhur pas thirrjeve nga Federata e Punonjësve të Sektorit Publik të Greqisë (ADEDY) dhe nga Punëtorët e Frontit Militant (PAME) kanë marshuar drejt sheshit Sintagma ku ndodhet edhe Parlamenti i Greqisë.
Në marshimin e mbështetur edhe nga grupet studentore, të pensionistëve dhe nga disa emigrantë është protestuar kundër politikave ekonomike të qeverisë dhe kundër kufizimit të pagave.
Ndërkohë sot edhe punonjësit e portit dhe të shëndetësisë kanë hyrë në një grevë 24 orëshe.
Si pasojë e protestës në kuadër të masave të sigurisë u mbyllën rrugët që të çonin drejt sheshit, ndërsa bëhet e ditur se protestuesit janë shpërndarë pa incidente. Gjithashtu mësohet se protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjerë të mëdha si në Selanik, Patras dhe Volos.
Qeveria e Greqisë në kuadër të paketës së shpëtimit vazhdon negociatat me kreditorët ndërkombëtarë në lidhje me masat shtrënguese. Ndërsa parashikohet se një prej kërkesave më të debatueshme me kreditorët është kufizimi i marrëveshjeve kolektive të punës.