Sibel Vezaj
31 Janar 2017•Përditësim: 01 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, njoftoi se nesër në një seancë gjyqësore do të bëhet paraqitja e materialit që sipas tij ka sajuar Serbia. Ndërkaq, sipas tij, në seancën e javës së ardhshme përfundimisht do të marrë fund procesi gjyqësor ndaj tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, duke falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe besimin se ndalesa e tij ishte politike, ka shkruar se, “Për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm të opinionit publik lidhur me ndalimin dhe procedurat ndaj meje në Francë, ju njoftoj se nesër në një seancë gjyqësore, do të bëhet paraqitja e materialit që e ka sajuar Serbia kundër meje, ndërkaq në seancën e javës së ardhshme, shpresoj që përfundimisht të marrë fund kjo farsë gjyqësore e imponuar nga Serbia!"
Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqësi i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i AAK-së, më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze bazuar në bazë të një urdhërarresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Ndërkaq, më 12 janar ai u lirua me kusht nga autoritetet franceze, ku Gjykata e Apelit në Colmar deklaroi se janë në pritje të dokumenteve të nevojshme nga qeveria e Serbisë.
Gjatë kësaj periudhe Haradinaj është nën mbikëqyrje gjyqësore dhe në bazë të lirimit me kusht, ai është i detyruar të paraqitet dy herë në javë tek policia franceze dhe i kufizohet ardhja e tij në Kosovë. Aj edhe në vitin 2015 ishte arrestuar në Slloveni dhe më pas ishte liruar.