Sibel Vezaj
31 Janar 2017•Përditësim: 01 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Organizuar nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, sot u organizua Akademia Përkujtimore e 20 vjetorit të rënies dëshmorë të heroit kombëtar Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarëve të tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, deputetë e pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe familjarët e dëshmorëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni i cili foli në emër të Qeverisë së Kosovës tha se Zahir Pajaziti, njëri ndër themeluesit kryesorë të UÇK-së si dhe dy bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha dhanë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi.
“Sot 20 vite pas dy dekadash të plota jemi mbledhur sërish në një 31 janar tjetër që siç bëjmë çdo vit të përkujtojmë me epietet të madh këta heronj që ranë për liri, tre më të mëdhenjtë të historisë së më të re të Kosovës”, tha Hyseni.
Sipas tij, si flijimi i tyre ashtu edhe e gjithë lufta sublime e popullit të Kosovës ishte flijim i pastër. Ai vuri në dukje se Pajaziti kishte filluar stërvitjet ushtarake në Shqipëri që nga viti 1991 dhe se ishte njëri nga themeluesit e Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së i cili koordinoi aktivitete të shumta politike dhe ushtarake.
Hyseni po ashtu tha se komandanti Pajaziti dhe bashkëluftëtarët e tij ranë dëshmorë në një pritë të forcave ushtarake-policore serbe, duke udhëtuar drejt Vushtrrisë. Sipas tij, ky është një moment kulmor kur këta trima vendosën për fatin e vet dhe u flijuan për lirinë e vendit, gjë që nuk mund ta bëjnë shumë njerëz.
Hyseni po ashtu u shpreh se ideali për të cilin dhanë jetën këta heronj u kurorëzua me 17 shkurt të vitit 2008 me pavarësinë e Kosovës dhe shtoi se vlerat për të cilat luftuan këta heronj duhet të kthehen në udhërrëfyes dhe tregues të rrugës të cilën duhet ta ndjekë shteti i Kosovës.
“Kemi nevojë të punojmë shumë të gjithë papërjashtim që ta përfundojmë procesin e shtetndërtimit deri në anëtarësimin e plotë në OKB. Duhet ta shtrijmë sovranitetin në gjithë vendin, sepse luftëtarët e lirisë që po i përkujtojmë sot kanë dhënë jetën për çdo pëllëmbë të tokës së shtrenjtë të Republikës së Kosovës”, tha Hyseni.
Ai së fundmi theksoi rëndësinë e krijimit të një konsensusi kombëtar ndaj rreziqeve që i kanosen këtij vendi dhe shfrytëzoi rastin për të ftuar autoritetet e drejtësisë franceze që ta lirojnë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.
Në anën tjetër, në emër të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ndryshe komandant "Remi", tha se Zahir Pajaziti me bashkëluftëtarët e tij ishin të parët që mundën frikën dhe shprehën bindjen se Kosova ka kapacitete kundërvënëse dhe se fitorja është e sigurtë. Sipas tij, ata treguan se forca e shpirtit liridashës është më e fortë se çdo forcë ushtarake e pushtuesit.
“Rënia dëshmorë e tre heronjve të lirisë në vend se të prodhonte lodhje rezultoi me një rritje të përpjekjes për liri, sakrifica e tyre shtoi besimin e idealit kombëtar dhe rriti shpresat për fitoren shqiptare përfundimtare. Sot falë këtij burri të madh dhe burrave tjerë që e ndeshën pas, Kosova dhe shqiptarët janë të lirë dhe kanë aleatë faktorë më relevant dhe vendimtarë të të gjitha kohërave dhe të gjithë botës sonë të përparuar”, tha Mustafa.
Ndërkaq, në emër të familjeve të heronjve Lumnije Rama, motra e luftëtarit Edmond Hoxha gjatë fjalimit të saj tha se ata që ranë për liri nuk e donin Kosovën të ndarë me mure dhe as qytetarët e saj të burgosur.
Ndryshe, Zahir Pajaziti i cili ka rënë dëshmor më 31 janar të vitit 1997, ishte nje ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Hero - dëshmor shqiptar i Luftës së fundit në Kosovë. Së bashku me komandantin Pajaziti, po të njëjtën ditë kanë rënë dëshmorë edhe bashkëluftëtarët e tij, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Ata ranë dëshmorë në fshatin Pestovë të komunës së Vushtrrisë, e cila ndodhet në veri të Kosovës.