Sibel Vezaj
02 Nëntor 2017•Përditësim: 03 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Në organizim të Ministrisë së Punëve të Brendshme sot në objektet e Qeverisë së Kosovës u mbajt tryezë diskutimi me temën “Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm”, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kushdo që mbyllë sytë para dukurive të tilla negative duhet të ndëshkohet. Ai theksoi rëndësinë e përmbylljes së kornizës së sigurisë në Kosovë, të fuqizimit të rolit të mekanizmave të sigurisë si dhe të rritjes së besimit në institucionet e vendit, për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Haradinaj nënvizoi se duhet t’i jepet fund flirtimeve me bartësit e ideve ekstremiste dhe tolerancës për idetë e tilla që çojnë në terrorizëm. Sipas tij, çdo kush që i mbyllë sytë para veprimeve të tilla duhet të ndëshkohet.
“Nuk guxon dikush t'i mbyllë sytë. Nëse dikush i ka mbyllur sytë dhe nuk ka qenë në nivel të mandatit ligjor ose të detyrës, atëherë duhet të jetë i ndëshkuar. Për shkak se kushdo që nuk arrin të jetë në nivel të mandatit të vet ligjor e rrezikon vendin e vet dhe kjo duhet të ketë pasoja ligjore”, tha ai.
Duke theksuar se lufta kundër ekstremizmit është prioritet i ndjeshëm, Haradinaj tha se Kosovës i nevojitet një plan serioz për t’i trajtuar ata që tashmë janë përfshirë apo kanë qenë të përfshirë në aktivitete ekstremiste, përfshirë edhe riintegrimin e tyre, "në mënyrë që Kosova të jetë një vend i sigurtë dhe të mos befasohet me rreziqet që i vijnë".
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj tha se aktet terroriste vazhdojnë të jenë kërcënim për sigurinë globale dhe shtoi se lufta kundër terrorizmit kërkon koordinim të ngushtë të të gjithë aktorëve institucional dhe joqeveritar si dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Sefaj po ashtu foli për masat e qeverisë dhe të MPB-së për parandalimin e këtyre dukurive, ku thekst të veçantë i kushtoi ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. Ai njoftoi se strategjia shtetërore kundër terrorizmit 2017-2022, pritet që shumë shpejtë t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës për miratim.
“Për të shprehur rëndësinë që ne i kushtojmë, që Kosova të jetë prezente në luftën kundër terrorizmit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë ndarje në vlerë prej 100 mijë dollarësh për përkrahjen e koalicionit anti-DEASH”, tha Sefaj.
Sipas tij, përkundër arritjeve, Kosova ende sfidohet me pengesa që krijon fakti se ky vend ende nuk është anëtarësuar në Interpol dhe për shkak të mungesës së formalizimit të marrëveshjeve strategjike dhe operacionale me mekanizma ndërkombëtare të sigurisë.
Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe zv/ministrat e Qeverisë së Kosovës, ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë, përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe aktorët kyç që merren me luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në këtë vend.