Mehmet Yılmaz
20 Qershor 2018•Përditësim: 21 Qershor 2018
BUDAPEST (AA) – Presidenti i Hungarisë, Janos Ader, tha se siguria e Evropës është e lidhur me stabilitetin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku shtoi se shteti i tij mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Ader në Pallatin Sandor priti në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Hungari. Të dy homologët më pas mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Ader bëri të ditur se në takimin me homologun e tij kanë diskutuar për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për krizën e refugjatëve dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Duke vënë në dukje se këto dy shtete kanë marrëdhënie të mira, Ader tha se “Hungaria mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kjo mbështetje nuk vjen vetëm nga marrëdhëniet e mira mes dy shteteve, por në të njëjtën kohë edhe nga ajo që siguria e Evropës është e lidhur me stabilitetin e shteteve të Ballkanit Perëndimor”.
Duke folur edhe për krizën e refugjatëve në Evropë, Ader tha se kontrabandistët e qenieve njerëzore po përpiqen që të gjejnë rrugë të reja dhe se për këtë arsye pritet rritja e presionit të emigrantëve mbi Shqipërinë. Por sipas tij BE-ja nuk duhet të lërë të vetëm as Shqipërinë e as shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kurse presidenti Meta tha se është mirënjohës për mbështetjen e Hungarisë në të kaluarën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kurse edhe tani për procesin e anëtarësimit të vendit në BE.
Duke u shprehur se anëtarësimi në BE do të ofrojë një kontribut serioz për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit, Meta tha se shteti i tij është në bashkëpunim me BE-në për krizën e refugjatëve.