Admir Fazlagikj
06 shkurt 2019•Përditësim: 06 shkurt 2019
SHKUP (АА) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka përshëndetur nënshkrimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e publikuar nga kabineti i presidentit Ivanov, theksohet se ai çdoherë është angazhuar për realizimin e qëllimeve strategjike të Republikës së Maqedonisë.
“Presidenti Ivanov përshëndet nënshkrimin e Protokollit aderues të vendit në NATO. Presidenti i Maqedonisë konsideron se, për fat të keq, mbetet fakti se nënshkrimit të sotëm të Protokollit i parapriu firmosja e marrëveshjes për ndryshimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, që i solli dëm të përhershëm interesave kombëtare maqedonase”, qëndron në njoftimin duke shtuar:
“Vendi i tridhjetë në Aleancën e NATO-s për Republikën e Maqedonisë ka qenë i merituar, duke pasur parasysh se që moti janë përmbushur standardet në mbrojtje dhe gatishmëria ushtarake e Armatës së Republikës së Maqedonisë, si rezultat në të cilin kanë kontribuar të gjitha qeveritë e Republikës së Maqedonisë”.
Rikujtojmë se sot u nënshkrua Protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Në ceremoninë e mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel, Protokollin në emër të Maqedonisë e ka nënshkruar shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov. Në ceremoninë ishin të pranishëm sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe përfaqësuesit e përhershëm të 29 aleatëve të NATO-s.