Sibel Vezaj
09 Shkurt 2017•Përditësim: 09 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA) - Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi, sot priti në takim ambasadoren e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi zv/kryeministri Kelmendi informoi ambasadoren Kılıç për prioritetet e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik si dhe për hapjen e vendeve të reja të punës.
Ai po ashtu falënderoi ambasadoren Kılıç për përkrahjen e vazhdueshme të Turqisë, duke shprehur përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, duke patur parasysh edhe hapat e ndërmarrë nga Kosova në zbatimin e reformave ekonomike si dhe në përmirësimin e legjislacionit për tërheqjen e investimeve të huaja.
Në takim po ashtu u theksua nevoja dhe gatishmëria për organizmin e një forumi të përbashkët ekonomik si dhe u vlerësua rëndësia e hyrjes në fuqi të Ligjit për Investime Strategjike.
Ndërkaq, nga ana e saj ambasadorja turke Kılıç potencoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore ndërmjet Turqisë dhe Kosovës dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Turqisë që edhe më tutje të ndihmojë Republikën e Kosovën në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën ekonomike.