Sibel Vezaj
23 Tetor 2017•Përditësim: 23 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) - Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka njoftuar se dita e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të organizuara dje më 22 tetor, ishte e qetë dhe shumë mirë e menaxhuar nga të gjithë aktorët e përfshirë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë me shkrim nga KFOR-i thuhet se “KFOR-i, në përputhje me mandatin e tij, që rrjedh nga Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, kontribuoi në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurtë dhe liri të lëvizjes duke monitoruar vazhdimisht situatën, në koordinim të ngushtë me Komunitetin Ndërkombëtar, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Policinë e Kosovës (PK) dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX)”.
KFOR-i po ashtu bëri të ditur se ka zhvilluar një plan specifik, duke vendosur në ditën e zgjedhjes më shumë se 2020 ushtarë, 300 automjete dhe 5 helikopterë. “Sipas kërkesës specifike të OSBE-së, KFOR-i gjithashtu ofroi siguri për personelin e OSBE-së në komunat e banuara me serbë në veri të rajonit”, njoftohet po ashtu nga KFOR-i.
Duke shprehur se zgjedhjet janë një mundësi shumë e rëndësishme për kosovarët që të formojnë të ardhmen e tyre përmes procesit demokratik zgjedhor, në komunikatë thuhet se dita e zgjedhjeve lokale në Kosovë ishte e qetë dhe shumë mirë e menaxhuar nga të gjithë aktorët e përfshirë.
“KFOR-i beson se zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike pasqyrojnë besimin në institucionet në Kosovë dhe vullnetin e popullatës për të forcuar angazhimin e zyrtarëve të zgjedhur”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se dje në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë, ku morën pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. KQZ-ja me këtë rast kishte akredituar 33 mijë e 200 vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar.