Sibel Vezaj
21 Maj 2018•Përditësim: 21 Maj 2018
PRIZREN (AA) - Në muajin e shenjtë të Ramazanit Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk në Kosovë) në qytetin e Prizrenit organizoi një iftar për qytetarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në iftarin e shtruar në ambient të hapur në sheshin Shadërvan të Prizrenit, përballë xhamisë Sinan Pasha, morën pjesë rreth 200 qytetarë të komuniteteve të ndryshme. Iftari po ashtu u shoqërua me këndimin e muzikës mistike dhe të ilahive.
Në iftar qytetarët u furnizuan me ushqime të llojllojshme si dhe me ëmbëlsirën e njohur të Ballkanit, trileçe.
Nafis Lokvica, qytetar nga Prizreni tha se ky qytet asnjëherë nuk e ka humbur traditën e Ramazanit dhe se ky muaj shënohet më ndryshe se në vendet e tjera të Kosovës.
Duke folur për rëndësinë e KFOR-it Turk në Kosovë që nga viti 1999, pas luftës në Kosovë Lokvica tha se “Jo vetëm gjatë muajit të Ramazanit por ata ofrojnë ndihma për 12 muaj. Më parë tendat e iftarit vendoseshin vetëm në Prizren, kurse tani edhe komunat nga vende të ndryshme të Kosovës mund të furnizohen nga kjo ndihmë”.
Lokvica shtoi se Turqia si me KFOR-in Turk ashtu edhe me TIKA-n dhe Institutin Yunus Emre ka treguar se është gjithmonë pranë qytetarëve të Kosovës, si të atyre turq ashtu edhe të atyre shqiptarë, boshnjakë e të tjerë.
Ndërsa Leutrimi nga qyteti i Gjakovës uroi që iftaret e tilla t’iu gjejnë gjithmonë në gëzime dhe tha se janë mirënjohës për organizime të tilla. “Faleminderit KFOR-it Turk që na kanë gëzuar, ishallah Zoti iu shpërblen gjithmonë”, tha ai.
KFOR-i Turk gjatë ditëve në vijim do të organizojë 20 iftare në qytete të ndryshme të Kosovës për gjithsej 4.000 persona.