Figen Shaban
09 Korrik 2017•Përditësim: 10 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) - Në kuadër të shëtitjes të mundësuar nga komuna e Ejupit të Stambollit, 35 nxënëset më të suksesshme nga shkollat e mesme të kësaj komune vizituan Gazimestanin dhe Tyrben e Sulltan Muratit në fshatin Mazgit të Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të këtij turi në Ballkan, që është shëtitja e tretë e organizuar nga komuna Ejup, do të marrin pjesë 70 nxënës ku një pjesë e këtyre nxënësve kanë vizituar kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën dhe Gazimestanin dhe Tyrben e Sulltan Muratit. Gjatë vizitës në shtetet e Ballkanit edhe pjesa tjetër e këtyre 70 nxënësve që do të arrijë nesër do të kenë mundësinë e vizitës së qyteteve në katër shtete të Ballkanit: Prizrenin (Kosovë), Shkupin (Maqedoni), Beogradin (Serbi), Sarajevën dhe qytetin e Travnikut (Bosnje e Hercegovinë).
Koordinatori i shkollimit tematik në drejtorinë e shërbimeve të rinisë dhe sportit në komunën Ejup, Musa Ersal në një prononcim për AA-në theksoi se në kuadër të shëtitjeve të organizuara nga kjo komunë për herë të parë ndodhen në Kosovë me nxënëset më të suksesshme, jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në sfera të ndryshme si në gara shkencore, aktivitete kulturore dhe sportive.
Duke vënë theksin tek qëllimi i kësaj shëtitjeje, ai tha se të rinjtë e Turqisë duhet të njihen me paraardhësit e tyre dhe vendet ku kanë jetuar ata dhe të informohen sa i përket dhimbjeve dhe luftërave të kaluara të vëllezërve dhe paraardhësve të tyre.
Ai ka theksuar se me anë të kësaj shëtitjeje dëshirojnë që t'i vetëdijësojnë nxënësit që populli turk nuk ndodhet vetëm brenda kufijve të Turqisë, por ata dhe vëllezërit e tyre ndodhen edhe në këto treva.
“Ju e dini se vitin e kaluar më 15 korrik në Turqi ka ndodhur një tentativë për grusht shteti dhe me anë të kësaj ne kuptuam se në botë ka plane manipuluese mbi popullin turk përveç manipulimeve që po i bëhen popullit turk në Turqi. Dëshirojmë që të rinjtë tanë të vetëdijësohen edhe për këto tema”, tha Ersal.
Ndërsa, njëra nga nxënëset e kësaj vizite, 15 vjeçarja nga Ejupi i Stambollit, Adviye Gülismailoğlu, e cila është veterane e tentativës së grushtit të shtetit të vitit të kaluar duke falënderuar kryetarin e komunës së Ejupit, Remzi Aydın për mundësinë e ofruar, theksoi se shumica prej nxënëseve kanë patur rastin të dalin jashtë Turqisë për herë të parë.
Ajo më tej theksoi se kjo vizitë është një eksperiencë shumë e rëndësishme në jetën e saj, duke i njohur vëllezërit dhe qytetet e Ballkanit. “Unë jam qëlluar në natën e 15 korrikut, por ndihem krenare për këtë gjë dhe e falënderoj Zotin që ma ka dhuruar epitetin e veteranit. Jam qëlluar me plumb në kraharorin e majtë në parkun Saraçhane, para objektit të komunës së Stambollit. Edhe sot marrë pjesë dhe do të vazhdoj të marrë pjesë në të ardhmen në shumë programe përkujtimore me qëllim që të mos harrohet ajo natë”, u shpreh Gülismailoğlu.
Ndërsa nxënësja Tuğba Işıkoğlu theksoi se “Dëshmorët tanë janë në këto treva. Pastaj është një gjë shumë e bukur kur e dimë se në këtë tyrbe ndodhen paraardhësit tanë dhe ne kemi mundësinë t'i vizitojmë dhe ta shohim këtë vend nga afër përveç fotografive.”
Komuna Ejup në vitin e parë të shëtitjeve kishte mundësuar vizitë për 100 nxënës në Spanjë, kurse në të dytin për 80 nxënës në Bosnje dhe Hercegovinë.