Sibel Vezaj
05 Janar 2017•Përditësim: 06 Janar 2017
PRISHTINË (AA) - Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të refuzuar kërkesën e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë së Serbisë për ta vizituar komunën e Shtërpcës në Kosovë, që është paraparë për ditën e nesërme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një njoftimi bën të ditur se refuzimi vjen pas vonesës për të deponuar me kohë kërkesën për vizitë në Kosovë, ashtu siç parashihet me marrëveshjen për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërmjet dy shteteve.
“Qeveria e Kosovës konsideron se sjelljet e fundit të Serbisë dhe deklaratat e njëpasnjëshme janë kundër frymës së bashkëpunimit ndërshtetëror dhe të arriturave të dialogut për të ndërtuar ura të shëndosha bashkëpunimi në mes dy shteteve dhe popujve. Poashtu, ato janë kundër interesit të qytetarëve serb të Kosovës të cilët kanë vendosur të jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftim e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Vizita e presidentit serb ishte paraparë për nesër, me rastin e Ditës së Buzmit të Krishtlindjes Ortodokse, ku pritej që Nikoliq bashkë me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të vizitojnë komunën e Shtërpcës, qytezë në pjesën jugore të Kosovës, e cila është e banuar me shumicë etnike serbe.