Figen Shaban
09 Tetor 2017•Përditësim: 10 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) - Organizata joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në bashkëpunim me OJQ-të Integra, Paks (OJQ nga Holanda) organizuan panelin në të cilin u diskutuan gjetjet e raportit me temë "Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë", raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë panel morën pjesë Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shefi i Misionit të OSCE në Kosovë, Jan Braathu, Nora Ahmetaj nga Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (CRDP) si dhe zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes.
Raporti është produkt i një hulumtimi mbarëkombëtar dhe shfaq pikëpamjet e fokusit të grupeve nga persona të ndryshëm të komunitetit shqiptar, serb dhe komuniteteve tjera jo shumicë në Kosovë lidhur me qëllimin, legjitimitetin dhe efektet e Gjykatës Speciale për Kosovën.
Presidenti Thaçi tha se kanë kaluar pothuajse dy dekada nga lufta, por shumë plagë ende mbesin të hapura duke kujtuar se ende ka njerëz të pagjetur në Kosovë. Ai tha se viktimat e dhunës seksuale në Kosovë tani kanë filluar të njihen si viktima dhe drejtësia nuk është përmbushur për vuajtjet e këtyre personave.
“Përkundër të gjitha përpjekjeve enda ka ndjenja se nuk është bërë mjaft drejtësi. Pritjet jo reale për Gjykatën Speciale mund të zbehin përpjekjet e saj siç e theksoni ju në të gjeturat tuaja. Rjedhimisht kjo do të zbehë besimin në tërë sistemin e drejtësisë kosovare e atë ndërkombëtare”, tha Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se Gjykata Spaciale nuk është disavantazh por avantazh për Kosovën. Duke përmendur se shpesh thuhet për Kosovën se është një re e zezë mbi të, Thaçi tha se kjo Gjykatë Speciale është një mundësi që kjo re e zezë e krijuar nga Serbia të pastrohet nga kosovarët për të forcuar ndjenjën e drejtësisë.
Ai tha se Gjykata Speciale është hibride duke theksuar se 80 mijë informata janë dërguar nga Serbia dhe shtoi se kjo gjykatë do të shqyrtojë vetëm pretendimet e ngritura për krime të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Thaçi po ashtu theksoi se bashkëpunimi Serbi-Kosovë është minimal, procedural duke iu referuar gjetjeve të këtij raportit që 75 për qind e shqiptarëve të Kosovës e shohin si të padrejtë këtë gjykatë ndërsa serbët mbështesin sepse mendojnë që asnjë serb nuk do të jetë i akuzuar.
Presidenti Thaçi shtoi se vendimi mbi themelimin e Gjykatës Speciale ka qenë domosdoshmëri e politikës ndërkombëtare të aktorëve ndërkombëtarë, dhe jo e drejtësisë, ndërsa Kosova ka pranuar themelimin e gjykatës, pas presionit diplomatik ndërkombëtar për të kënaqur Serbinë dhe Rusinë.
“Nga bashkësia ndërkombëtare na është premtuar se do të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, se do të ndodhte shpejtë liberalizimi i vizave, që do të kemi mbështetjen masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelonim shpejtë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova e mbajti fjalën, themeloi gjykatën ndërsa bashkësia ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik”, u shpeh presidenti Thaçi.
Ndërsa, Nenad Maksimoviç nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë i cili prezantoi të gjeturat e raportit tha se informatat rreth Gjykatës Speciale dhe mandatit të saj janë marrë nga 1400 persona të anketuar nga komuniteti shqiptar, serb dhe komunitetet tjera jo shumicë në mbarë Kosovën.
Duke shpalosur njërën nga gjetjet kyçe, Maksimoviç tha se vetëdijësimi i publikut për mandatin e Gjykatës Speciale është shumë i ulët duke marrë parasysh se vetëm 4.7 për qind të shqiptarëve të Kosovës dhe 3 për qind të serbëve të Kosovës konsiderojnë se janë shumë të informuar për mandatin e kësaj gjykate.
Ai tha se është krijuar një iluzion i popullatës nga autoritetet politike të vendit sepse askush nuk e di se për çka bëhet fjalë kur përmendet Gjykata Speciale.
“32 për qind e shqiptarëve të Kosovës besojnë se Gjykata Speciale gjithashtu do të merret edhe me krimet e kryera nga forcat serbe dhe jugosllave dhe 35 për qind e popullatës besojnë se Gjykata Speciale do të merret edhe me krimet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe kapjen e shtetit”, tha Maksimoviç.
Ndërsa, ai bëri të ditur se 69 për qind e serbëve të Kosovës janë shumë skeptik dhe besojnë se kjo gjykatë nuk do t'i shërbejë drejtësisë.
Ai po ashtu tha se është një frustrim i madh në popullatë sepse ekziston një ndjenjë shumë e madhe e disbalancit për ndjekjen penale dhe gjykimin nga mekanizmat tjerë ndërkombëtarë e cila ka ndihmuar në mosbesimin në drejtësinë ndërkombëtare.
Maksimoviç njoftoi se 51 për qind e shiqptarëve të Kosovës dëshirojnë që të protestojnë në rast se ngriten aktakuzat e para ndërsa tha se “Interesi për të protestuar do të rritej në 64 për qind në rast se autoritetet serbe do të përdornin këtë rast për të promovuar UÇK-në si organizatë terroriste”.