Sibel Vezaj
09 Janar 2018•Përditësim: 09 Janar 2018
PRISHTINË (AA) - Në fshatin Babimoc të qytetit të Obiliqit, i cili ndodhet në Kosovën qendrore, dje në rrethana të pasqaruara kanë humbur jetën dy persona të nacionalitetit serb, raporton Anadolu Agency (AA).
Lajmin për AA e konfirmoi Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës, i cili bëri të ditur se, “Më 8 janar, rreth orës 20:45 në fshatin Babimoc në Obiliq, në një shtëpi janë gjetur dy persona (një mashkull dhe një femër) të nacionalitetit serb, të vdekur. Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimave, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin”.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e shqetësuar me informatat për vdekjen në rrethana të pasqaruara të dy qytetarëve në Babimoc të Obiliqit. Qeveria kërkon nga organet e rendit që të zbardhet ky rast sa më shpejtë që të jetë e mundur”, thuhet në një komunikatë me shkrim nga Zyra e Kryeministrit.
Poashtu, Qeveria e Kosovës fton të gjithë qytetarët që mund të kenë informata për rastin të bashkëpunojnë me organet e rendit.