Figen Shaban
23 Dhjetor 2017•Përditësim: 24 Dhjetor 2017
PRISHTINË (AA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë, me të cilët bisedoi për çështjen e nismës së 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se kryeministri Haradinaj ka falënderuar ambasadorët e Quintit për përkrahjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme për Kosovën në të gjitha proceset.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi i respekton vendimet e të zgjedhurve të popullit.
Kujtojmë se dje kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur dy takime me 43 nënshkrimet e deputetëve të Kosovës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale por nuk ka patur vendim për shkak të mungesës së kuorumit.