Figen Shaban
08 Gusht 2017•Përditësim: 09 Gusht 2017
PRISHTINË (AA) - Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) organizoi konferencën për media me temë “Aktualiteti politiko-ekonomik në Kosovë dhe mundësia e transformimit pozitiv të shoqërisë”, ku shkrimtari kosovar, Daut Demaku gjatë prezantimit të tij ofrojë një qasje nga aspekti psikologjik dhe social sa i përket problemeve aktuale në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, i cili hapi konferencën tha se qytetarët e Kosovës momentalisht po ballafaqohen me sfida të ndryshme ku sipas tij edhe axhenda ekonomike po përcaktohet nga aktualiteti politik. Ai shtoi se problemi i buxhetit për vitin 2017 dhe rritja e borxhit të brendshëm në Kosovë dhe fjalët "liberalizim, demarkacion, asociacion, a do të jemi në UNESCO apo Interpol?” që përmendën shpesh herë nga shoqëria kosovare, sipas tij janë një përmbledhje e problemeve dhe sfidave të shoqërisë.
"Problemet gjithmonë po analizohen nga dimensionet politike dhe ekonomike, por shumë pak nga aspekti psikologjik dhe social. Vendosëm që pas një bisede të gjatë me Daut Demaku që ta organizojmë këtë bashkëbisedim, që të kemi një qasje pak më ndryshe se si mund të kemi një përmirësim dhe motivim për popullatën në përgjithësi", tha Gërxhaliu.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe shkrimtari, Daut Demaku, theksoi se njerëzit e përbëjnë shtetin dhe vetëm ata të cilët punojnë dhe mendojnë për shtetin e tyre në dimensione pozitive dhe që janë optimistë mund ta zhvillojnë atë.