Agon Fehmiu
12 Janar 2016•Përditësim: 13 Janar 2016
PRISHTINË (AA) - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot ka vizituar pesë komuna të rajonit të rrafshit të Dukagjinit, për të diskutuar me drejtuesit e tyre për problemet e zhvillimit ekonomik dhe pengesat administrative me të cilat ballafaqohen bizneset e atjeshme, me qëllim që të ndikojë në krijimin e një klime më të favorshme për investime të huaja dhe të bërit biznes, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë vizitave në komunat e Klinës, Istogut, Pejës, Junikut dhe të Deçanit, presidentja Jahjaga ishte e shoqëruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomik Amerikane, Arian Zeka dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.
Gjatë takimeve me presidenten e Kosovës, kryetarët e komunave, Sokol Bashota i Klinës, Haki Rugova i Istogut, Gazmend Muhaxheri i Pejës, Rasim Selmanaj i Deçanit dhe Agron Kuçi i Junikut e kanë njoftuar Presidenten Jahjaga me gjendjen në komunat e tyre, problemet me të cilat ballafaqohen ato dhe planet për zhvillimin ekonomik.
Pas vizitave të bëra, Presidentja Jahjaga deklaroi se takimet ishin të frytshme dhe se, pa marrë parasysh se cila parti politike i udhëheq komunat, problemet të cilat i kanë diskutuar, si me odat ekonomike ashtu edhe me investitorët e shumtë, janë pothuajse të njëjta.
“Problemet janë të njëjta në gjitha komunat, qofshin ato me prona, me politikat e taksave të nivelit komunal, mungesën e kapaciteteve të shërbyesve civilë në nivel të komunave apo të bashkëpunimit në mes të komunave të cilat i kanë përafërsisht specifikat e njëjta. Sot kam filluar me rajonin e Dukagjinit dhe përafërsisht deri në fund të këtij muajit do t’i përmbylli vizitat në të gjitha komunat e Kosovës. Kam pasur takime në Klinë, në Istog, tani në Pejë dhe tani do të vazhdoj edhe në komunën e Junikut dhe të Deçanit", deklaroi presidentja Jahjaga.
Ajo tha se ka patur një bisedë shumë të frytshme dhe kemi analizuar për së afërmi situatën së bashku me të gjithë kryetarët e komunave.
Pas takimeve të shumta që ka patur gjatë festave të fundvitit me kryetarë të odave ekonomike të Kosovës, amerikane dhe gjermane, si dhe me shumë investitorë që kanë shprehur interesim dhe shohin potencial të investimeve në komuna të ndryshme të Kosovës dhe shumë probleme dhe çështjeve që janë ngritur me këtë rast, Jahjaga ka vendosur të dalë në terren dhe të përkrah nismën e tri Odave ekonomike për t’i tejkaluar vështirësitë aktuale.