Figen Shaban
19 Tetor 2017•Përditësim: 19 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) - Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Njësinë kosovare të Bioetikës në UNESCO (Haifa- Chair in Bioethics) shënoi "Ditën Botërore të Bioetikës 2017" me një konferencë me moton “Barazia, Drejtësia, Paanshmëria”, raporton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Bajram Bujupi gjatë fjalës së tij tha se kjo konferencë është një mundësi e mirë që të shfrytëzohet për ndërveprim dhe diskutim rreth bioetikës “parimet e së cilës janë të domosdoshme dhe ndihmojnë shoqërinë kosovare për të promovuar etikën në përgjithësi”.
Duke vënë theksin tek diversiteti kulturor, etnik dhe religjioz të shoqërisë kosovare, Bujupi tha se qeveria dhe Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të kryejë misionin e saj në ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse për të promovuar vlerat e përbashkëta etike në aspektin e edukimit ligjor dhe sundimit të ligjit.
“Përgjatë historisë zhvillimi i normave etike është ndikuar nga zhvillimet politike ekonomike shoqërore kulturore religjioze prandaj bioetika ka qenë shpesh herë në kundërshtim me këto zhvillime. Megjithatë, ligji dhe normat ligjore interferojnë në normat morale dhe etike por sot e drejta ligjore dhe e drejta morale janë të avancuara. Normat etike kanë ndikuar në rregullimin e shumë raporteve shoqërore që nënkupton rëndësinë kohezive për shoqërinë dhe shtetin dhe se etika gjithmonë duhet t'i paraprijë të drejtës ligjore”, tha Bujupi.
Ndërsa, udhëheqësi i Njësisë kosovare të Bioetikës në UNESCO (Haifa- Chair in Bioethics), Miftar Zenelaj tha se që nga gushti i vitit 2015 Kosova është anëtare e Rrjetit ndërkombëtar të bioetikës në UNESCO.
Ai tha se bioetika është shfaqur si një përgjigje intelektuale ndaj sfidave të kohës. Zenelaj u shpreh se nëpërmjet kësaj disipline mund të gjenden udhëzime për zgjedhjen e shumë dilemave morale dhe etike të imponuara nga zhvillimet ekonomike politike dhe nga arritjet shkencore-teknologjike.
Zenelaj nënvizoi se respektimi i personalitetit të njeriut, në këtë rast i profesionistëve mjekësorë dhe respektimi i pacientëve dhe autonomisë së tyre është një nga vlerat kryesore të etikës mjekësore.
“Në emër të rrjetit ndërkombëtar ne anëtarët e bioetikës zotohemi për të punuar dhe bashkëvepruar në mënyrë efektive me të gjitha grupet e interesit që të kemi kompetenca në kapacitetet tona thmelore intelektuale me sjellje etike, qytetari, profesionalizëm, humanizëm, gjykim të drejtë, respektim dhe tolerancë ndaj diversitetit etnik, fetar, social, gjinor, ideologjik dhe politik”, tha Zenelaj.
Ndryshe, më 24 qershor 2001 u nënshkrua një marrëveshje nga Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s dhe Rektori i Universitetit të Haifa-s në Izrael, lidhur me krijimin e një Kryesie të UNESCO-s të Bioetikës në Qendrën Ndërkombëtare të Shëndetit, Ligjit dhe Etikës në Universitetin e Haifa-s.
Marrëveshja ka për qëllim të koordinojë dhe të stimulojë një Rrjet Ndërkombëtar të Instituteve për Trajnimin e Etikës Mjekësore (NIMED), duke bashkuar institutet e arsimit të lartë në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim dhe të zhvillojë një plan mësimor të përditësuar për edukimin e etikës mjekësore, i cili do të plotësojë kërkesat e shkollave të mjekësisë në botë.