Sibel Vezaj
19 Tetor 2017•Përditësim: 19 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka pritur në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve te Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi, Thaçi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i ka dhënë Kosovës gjatë procesit të shtet ndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
“Bullgaria është partner strategjik i Kosovës”, është shprehur Thaçi duke shtuar se “Bullgaria në vazhdimësi ka qenë një mbështetëse e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”.
Duke vënë në dukje se kanë ndërtuar marrëdhënie të mira bilaterale me Bullgarinë, Thaçi ka theksuar se “Tani kemi nevojë për një bashkëpunim më të madh ekonomik ndërmjet të dyja vendeve”.
Ndërsa, zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve te Jashtme e Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva ka thënë se Bullgaria mbështet të gjitha përpjekjet për paqe e stabilitet në rajon.c“Duhet të shikojmë kah e ardhmja në paqe e bashkëpunim”, ka thënë ajo.
Ndryshe, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Kosovë, Zaharieva sot është takuar edhe me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.