Bekim Laci
24 Qershor 2017•Përditësim: 24 Qershor 2017
SHKUP (AA) - Me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit dhe në prag të festës së Fitër Bajramit, mesazh urimi për besimtarët muslimanë ka dërguar kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, H. Sulejman Ef. Rexhepi, në të cilin thotë se kaluam edhe një Ramazan, një muaj me plotë lutje e ibadete, një muaj ku e sprovuam veten përballë durimit, përballë dashurisë dhe dhembjes për njeriun, përballë gatishmërisë për ta ndihmuar njëri-tjetrin, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Mesazhi thelbësor i këtij Muaji të shenjtë është vetëm mirësi, mirëqenie për të gjithë dhe ecje vetëm asaj Rruge të cilën na e ka ndriçuar Krijuesi ynë”, thotë Rexhepi, për të shtuar se pikërisht për këto vlera duhet të na merr malli, dhe për hir të këtij malli tërë jetën duhet ta kalojmë nën parimet, rregullat dhe porositë e shenjta që dalin nga ky Muaj.
“Megjithatë, vëllezër e motra, qytetarë të nderuar, nesër kemi festë, festojmë Bajramin e Ramazanit, që manifeston kënaqësinë tonë të të qenurit musliman, besimtar i fesë islame, manifeston krenarinë tonë si dhe falënderimet më të sinqerta drejtuar Allahut Fuqiplotë që na e mundësoi ta përjetojmë tërë atë varg kënaqësish që arrihen vetëm gjatë këtij Muaji, në të cilin agjëruam e u lutëm për mbarësi e për begati, si në mesin tonë ashtu edhe në mbarë botën. Me këtë shpirt të dëlirë, të vazhdojmë edhe sot, duke ia shtrirë dorën njëri-tjetrit, duke gëzuar sofrën e skamnorëve, duke e shtuar dashurinë dhe përkujdesin për jetimët, për prindërit tanë, për familjet tona”, thuhet në urimin e kreut të BFI-së, H. Sulejman Ef. Rexhepi.