Sibel Vezaj
29 Mars 2018•Përditësim: 30 Mars 2018
PRISHTINË (AA) - Zëvendëskryeministri i Kosovës nga Lista Serbe, Dalibor Jevtiç thotë se qëndrimi i “Listës Serbe” për të vazhduar qëndrimin dhe bashkëpunimin në institucionet e Kosovës është që të hetohet rasti i intervenimit të policisë në Mitrovicë, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe bashkëpunimi i sinqertë me të gjitha institucionet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në mbledhjen e sotme të rregullt të Qeverisë së Kosovës, zv/kryeministri Jevtiq i është drejtuar kabinetit qeveritar me një fjalë në lidhje me ngjarjet e zhvilluara të hënën në Mitrovicë, ku u arrestua shefi i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç.
Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Jevtiç ka vlerësuar se rasti nuk i ka kontribuar paqes dhe gatishmërisë për bashkëpunim dhe se qëndrimi i “Listës Serbe” për të vazhduar qëndrimin dhe bashkëpunimin në institucionet e Kosovës, është që të hetohet rasti i intervenimit të policisë në Mitrovicë, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe bashkëpunimi i sinqertë më të gjitha institucionet.
Nga ana e tij kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vlerësuar se çështjet e ngritura nga Jevtiq do të diskutohen në Qeveri dhe institucionet tjera dhe ka kërkuar largpamësi në të mirë të paqes dhe bashkëpunimit në Kosovë.
Haradinaj po ashtu ka apeluar për angazhim të tejkalimit të situatës së krijuar dhe ka shprehur qëndrimin se intervenimi policor nuk ka qenë i drejtuar kundër asnjë komuniteti. “Kosova mbetet e vendosur dhe e përkushtuar për vazhdimin e dialogut”, ka thënë ai.
Ndërkaq zv/kryeministri Enver Hoxhaj ka apeluar që të mos keqpërdoret rasti, i cili sipas tij, nuk ishte i drejtuar në asnjë rrethanë kundër ndonjë komuniteti. Ai ka thënë se Kosova ka një rend kushtetues dhe juridik, i cili duhet të respektohet nga të gjithë.
Sipas tij, edhe në Bruksel në procesin e dialogut është arritur marrëveshje për kushtet dhe mënyrën e realizimit të vizitave reciproke të zyrtarëve qeveritar nga të dyja vendet.
Kujtojmë se të hënën, kreut i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç përkundër asaj që Ministria e Jashtme e Kosovës nuk kishte dhënë leje për hyrje, kishte në hyrë në Kosovë për të marrë pjesë në një debat për dialogun në Kosovë.
Pas kësaj, Policia e Kosovës arrestoi Gjuriçin në Mitrovicën e Veriut, të cilin e dërgoi në një stacion policor në Prishtinë. Më pas Policia e Kosovës të njëjtin e largoi nga territori i Republikës së Kosovës.
Si rezultat i këtij rasti, edhe Lista Serbe e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë, njoftoi se do të braktisë Qeverinë e Kosovës dhe se për këtë vendim ka mbështetjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Kjo parti poashtu paralajmëroi se “nëse Prishtina nuk formon Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, Lista Serbe do ta bëjë më 20 prill”.