Fatjon Cuka
19 shtator 2018•Përditësim: 19 shtator 2018
TIRANË (AA) - Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, ka deklaruar se për Gjermaninë, Shqipëria është një partner qendror në Ballkan dhe se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është reale dhe e domosdoshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryediplomati gjerman është takuar në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ndërsa në një konferencë të përbashkët për mediat u fokusuan në marrëdhëniet mes dy vendeve, mbështetjen e Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe zhvillimet në rajon.
Minsitri Maas theksoi se është mjaft mbresëlënëse të shikohet se me çfarë entuziazmi të rinjtë e rajonit mirëpresin vlerat e Bashkimit Evropian. "Ne kemi sfida të përbashkëta. Mendoj që ka qenë një angazhim politik energjik dhe Shqipëria mund jetë mjaft krenare. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë për reformat. Mund vazhdoni të mbështeteni te Gjermania në pjesën tjetër të rrugës. Procesi i reformave mund jetë një rrugë me pengesa, por perspektiva e anëtarësimit është më afër se kurrë”, tha ministri gjerman, duke shtuar se perspektiva evropiane Ballkanit Perëndimor është reale dhe e domosdoshme.
Shefi i diplomacisë gjermane për çështjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë dhe për një marrëveshje të mundshme mes dy vendeve, tha se "Ne kemi zhvilluar biseda të ndryshme dhe shumë shpesh është thënë që ekziston frika që të arrihet në shkëmbimin e zonave mes Kosovës dhe Serbisë. Ekziston edhe frika e një efekti domino, ndaj në një farë mënyre ne jemi skeptikë. Por të zgjidhet në një mënyrë që mos shkaktohen probleme të tjera. Nëse korrigjimi i kufijve do të jetë pjesë e zgjidhjes, ne jemi skeptikë dhe të përmbajtur“.
Ministri Maas tha gjithashtu se çështja e migracionit do të duhej që të zgjidhej sa më shpejt që të ishte e mundur dhe që gjitha shtetet të marrin përgjegjësitë e tyre për këtë krizë.
%2F20180919_2_32441310_37344120.jpg)
Ndërsa Bushati theksoi se raporti i Shqipërisë me Gjermaninë është i drejtë dhe i ndershëm. "Ne patëm mundësi për të marrë në shqyrtim marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve. Ritheksoj se për Shqipërinë marrëdhënia e partneritetit me Gjermaninë është e çmuar e pazëvendësueshme, qoftë në planin dy palësh, ashtu edhe për reformat. Kemi rënë dakord për të projektuar rrugë të reja të bashkëpunimit në kushtet kur Shqipëria bëhet gati për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Rruga drejt fillimit të bisedimeve për anëtarësim dhe vetë procesi i anëtarësimit në BE, nuk do jetë një proces i lehtë", tha ministri Bushati.
Bushati në lidhje me zhvillimet në rajon theksoi se “Ndajmë pikëpamjen që një votë pro referendumit në Shkup do të ishte një shpresë e madhe për gjithë përpjekjet që bëhen për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Diskutuam edhe për sfidat e sigurisë që ne përballemi në rajon".
Kryediplomati gjerman do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit. Maas qëndron për vizitë në Shqipëri pas vizitës që realizoi në Maqedoni, ku u takua me drejtues të lartë të vendit.