Fatjon Cuka
03 Nëntor 2016•Përditësim: 03 Nëntor 2016
TIRANË (AA) - Policia e Shtetit Shqiptar vijon operacionet antidrogë në të gjithë territorin e vendit, ndërsa bëhet e ditur se gjatë operacionit të fundit janë arrestuar 22 persona dhe sekuestruar mbi 4.200 kilogramë lëndë narkotike, e llojit kanabis sativa, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë realizuar operacionin e koduar "Befasia", ku është gjetur një magazinë e përshtatur si ambient për tharjen e bimëve narkotike.
Në një njoftim zyrtar sot Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Shqiptar ka konfirmuar se janë arrestuar në flagrancë 22 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 9 të tjerë, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i magazinës.
Sipas policisë shtetasit e arrestuar janë kapur në flagrancë në momentin e kontrollit brenda magazinës duke punuar, ndërsa lënda narkotike ishte në proces tharjeje dhe përpunimi.
Ndërkohë në lidhje me situatën e kultivimit të lëndëve narkotike dhe operacioneve antidrogë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thirrur më 11 nëntor 2016 mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar me drejtuesit e institucioneve të larta shtetërore rreth kësaj situate.