Ekip
11 Janar 2019•Përditësim: 12 Janar 2019
SHKUP (AA) - Me mbështetjen e dy të tretave të deputetëve apo 81 vota, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar katër amandamentet me të cilat do të ndryshohet emri kushtetues në Republika e Maqedonisë së Veriut, pasi që Marrëveshja e Prespës të ratifikohet edhe nga pala greke, raporton Anadolu Agency (AA).
Në seancë të pranishëm ishin 81 deputetë, ndërsa opozita maqedonase, VMRO-DPMNE dhe koalicioni, e cila kundërshtonte ndryshimet kushtetuese, nuk ishte e pranishme në këtë seancë, përveç tetë deputetëve tashmë të pavarur të cilët më herët u tërhoqën nga VMRO-DPMNE dhe mbështetën ndryshimet kushtetuese.
Këto ndryshime kushtetuese duhet të nënshkruhen nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, i cili më herët edhe pse ishte i obliguar refuzoi ta nënshkruajë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe Marrëveshjen e Prespës të cilat po ashtu u votuan në Kuvend. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, më parë deklaroi se edhe nëse nuk nënshkruhen nga presidenti Ivanov “të dy ligjet së bashku do të publikohen në Gazetën zyrtare”.
Gjatë kohës së votimit të sotëm në Kuvend, rreth 200 qytetarë të thirrur nga iniciativa civile "Maqedonia bllokon" protestonin para godinës së Kuvendit kundër Marrëveshjes së Prespës. Nga ana tjetër, godina ishte e rrethuar me forca të mëdha policore.
Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e Marrëveshjes së Prepsës, të nënshkruar në qershor të vitit 2018 midis qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i të cilave është kusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Amandmenti i parë i referohet emrit aktual të Republikës së Maqedonisë ku do të shtohet shtesa “Veriut”, ndërsa amandamenti i dytë i referohet plotësimeve në preambulën e Kushtetutës, respektivisht vendimet e KAÇKM-së (Këshillit Antifashist i Çlirimit Kombëtar) ndryshohen me shpalljen e KAÇKM-së dhe i shtohet Marrëveshja e Ohrit, si element konstituiv i shtetit. Amendamenti i tretë dhe i katërt, i referohen garancive për kufijtë territorial të Maqedonisë, si dhe kujdes për qytetarët e Maqedonisë në diasporë dhe më gjerë.
Ndryshimet kushtetuese, përfshirë emri Republika e Maqedonisë së Veriut, do të hyjnë në fuqi pasi Marrëveshja e Prespës të ratifikohet në parlamentin grek.