Ivana Ramadanova
22 Shkurt 2018•Përditësim: 22 Shkurt 2018
SHKUP (AA) – Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovsi, ka zhvilluar një takim me homologun e tij hungazrez, Sándor Pintér, në të cilin është rënë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit midis policisë maqedonase dhe hungareze, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë të përbashkët për media, ministrat e Brendshëm të të dyja vendeve theksuan se institucionet që udhëhiqen nga ata kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm, por se në periudhën e ardhshme ky bashkëpunim do të promovohet edhe më tej.
Siç theksoi ministri Spasovski, takimi u përqendrua në mënyrat për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy policive, veçanërisht në lidhje me bashkëpunimin e ndërsjellë dhe mbështetjen në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
“Dua të falënderoj ministrin Pintér, i cili ndihmoi policinë maqedonase në trajtimin e krizës së emigrantëve. Ajo ishte një nga sfidat më të mëdha për Maqedoninë, me të cilën mund të ballafaqoheshim vetëm përmes bashkëpunimit me shtetet e rajonit dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Policia hungareze ka bërë shumë për të ndihmuar Maqedoninë në përballjen me këtë krizë”, deklaroi Spasovski.
Spasovski tha se projekti për mbikëqyrjen nga afër të kufirit jugor të Maqedonisë ka filluar në dhjetor të vitit 2015 duke dërguar zyrtarë policorë nga disa vende mike në kufirin tonë jugor, në mesin e të cilëve ishin edhe policët hungarezë. Ai bëri të ditur se që nga fillimi e deri më tani, gjithsej 611 oficerë të policisë hungareze janë dislokuar në 22 kontigjente.
Ai poashtu zbuloi se sot është ngritur një nismë e re për të nisur negociatat për një marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave dhe informatave në menaxhimin dhe parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Ndërkaq, ministri Pintér, nga ana e tij, tha se oficerët e policisë hungareze edhe në të ardhmen do të ndihmojnë policinë maqedonase.
“Dua të falënderoj përpjekjet dhe punën që Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe policia e bën në mbrojtjen e kufirit me Greqinë. Këta policë nuk mbrojnë vetëm kufirin e Maqedonisë, por mbrojnë edhe kufijtë e rajonit, të Hungarisë dhe të gjithë Bashkimit Evropian”, tha Pintér.
Të dy ministrat theksuan se marrëveshja midis Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Hungarisë për bashkëpunim policor duhet të nënshkruhet së shpejti, duke synuar thellimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteve policore të të dy vendeve, në mënyrë që të veprojnë më efektivisht në shtypjen e krimit ndërkombëtar, me theks luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikimit të paligjshëm të drogës, emigracionit të paligjshëm si dhe të krimeve të tjera.