Besar Ademi
06 Korrik 2017•Përditësim: 07 Korrik 2017
SHKUP (AA) – Në kazermën “Ilinden” në Shkup u mbajt ceremonia e dërgimit të kontigjentit të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) në kuadër të stërvitjes multinacionale “Saber Guardian 2017”, e cila mbahet nga 23 qershori deri më 26 korrik të këtij viti në Rumani, Hungari dhe Bullgari, raporton Anadolu Agency (AA).
Në stërvitjen “Saber Guardian 2017” janë të përfshirë 25 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura nga mbi 20 vende të NATO-s dhe vendeve partnere, ndërsa Maqedonia do të marrë pjesë me gjithsej 71 pjesëtarë të sistemuar në Rumani dhe Hungari.
Ministrja e Mbrotjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, në adresimin e saj para pjesëtarëve që do të marrin pjesë në këtë stërvitje multinacionale, tha se stërvitjet e këtilla dëshmojnë se sa është i rëndësishëm angazhimi i forcave të ARM-së në sigurimin e paqes dhe sigurisë botërore si dhe në promovimin e Maqedonisë dhe forcat ushtarake të saj.
“Unë jam e bindur se stërvitjet dhe trajnimet e përbashkëta, kryesisht kontribuojnë në ndërtimin e besimit dhe marrëdhëniet e partneritetit. Mirëpo, në të njëjtën kohë kontribuojnë në përmirësimin e aftësive tona të mbrojtjes, që të përmirësojmë aftësitë tona për të vepruar në situata të ndryshme të natyrës së sigurisë”, deklaroi Shekerinska.
Ndërkaq, ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Jess Baily, tha se stërvitja “Saber Guardian” paraqet partneritet në veprim dhe se ky partneritet ndërton sigurinë kolektive të shumë shteteve. Ai shtoi se përmes stërvitjeve të këtilla, SHBA-të i përforcojnë lidhjet me vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere të saj si dhe e riafirmon angazhimin e vazhdueshëm të saj ndaj mbrojtjes kolektive mbi prosperitetin ekonomik të Evropës.
“Armata e Republikës së Maqedonisë ka reputacion të shkëlqyer dhe ne jemi krenar për bashkëpunimin e ngushtë mes ushtrive tona, përfshirë partneritetin e fortë me Gardën Kombëtare të Vermontit. Ne do të vazhdojmë të gjejmë mundësitë për stërvitje të përbashkëta këtu, në Evropë, si dhe në SHBA, duke përforcuar bashkëpunimin tonë dhe duke mbështetur Maqedoninë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO”, deklaroi Baily.
Stërvitja “Saber Guardian 2017”, e cila është e organizuar dhe udhëhequr nga Armata e SHBA-ve në Evropë, këtë vit paraqet stërvitjen më të madhe në rajonin e Detit të Zi. Qëllimi i stërvitjes është që të tregohet gatishmëria e pjesëtarëve të vendeve-pjesëmarrëse për përgjigje ndaj ndonjë skenari më të madh, i cili përfshin stërvitje të mbështetura në mënyrë kompjuterike, trajnim terreni dhe stërvitje me gjuajtje me mbushje.