Figen Shaban
06 Korrik 2017•Përditësim: 07 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) - Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e (MAPL) Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, organizuan punëtorinë me temë "Mësimet e nxjerra për qeveritë e ardhshme lokale”, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë kësaj punëtorie u shkëmbyen përvojat nga kryetarët, përfaqësuesit e zgjedhur, shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit me qëllim që qeveritë vendore të sapozgjedhura të informohen në mënyrë të duhur nga paraardhësit e tyre lidhur me përballimin e sfidave në qeverisjen lokale të cilat mund të jenë me rëndësi dhe interes të përbashkët për qeveritë e reja dhë që kërkojnë mbështetje të politikave nga lartë-poshtë.
Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, Rozafa Ukimeraj gjatë fjalës hyrëse të punëtorisë theksoi se sfidat e qeverisjes lokale në Kosovë janë burokracia e gjerë që vonon procesin e vendimmarjes së komunave si efekt i varësisë së qeverisjes lokale në qeverisjen qendrore. Ajo po ashtu tha se korniza e ligjeve dhe rregullave në Kosovë është tejet e gjerë por zbatimi i tyre është problem edhe pse sipas saj është forcuar bashkëpunimi i nivelit lokal dhe atij qendror për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të komunave.
Ukimeraj, sa i përket alternativave në zgjidhjen e problemeve të qeverisjes lokale, theksoi se duhet të bëhet menaxhimi i pronës komunale, të ketë transparencë buxhetore dhe të ndodhë përfshirja e qytetarëve dhe e grave në procesin e vendimmarrjes.
“Një problem tjetër që e karakterizoi këtë mandat të kaluar të organeve të vetëqeverisjes lokale ishin sigurisht problemet politike të cilat sa i përket integrimit të të gjitha komunave në sistemin unik të vetëqeverisjes lokale. Një problematikë e vazhdueshme është sigurisht varshmëria financiare e komunave në raport me qeverinë qendrore. Deri në 85 për qind është varshmëria buxhetore e komunave dhe vetëm sa për ilustrim gjatë këtij katër vjeçari investimet kapitale të cilat janë bërë nga niveli qendror në nivelin lokal arrijnë vlerën e 242 milionë eurove”, tha Ukimeraj.
Ndërsa, drejtori i Departamentit të demokratizimit në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, Christopher Tuetsch gjatë fjalimit të tij theksoi se llogaridhënia, pjesëmarrja dhe transparenca janë parimet kyçe të një qeverisjeje të mirë lokale.
Tuetsch tha se një nivel konstruktiv i kritikës ndaj institucioneve është i mirëpritur por këtu në Kosovë, niveli i besimit të publikut ngjallë disa çështje serioze në kuptimin e qëndrueshmërisë së përpjekjeve për të përmirësuar qeverisjen.
“Niveli i vetëdijes publike, apatia pastaj skepticizmi i publikut ndaj pushtetit janë burimi i kufizimeve të përpjekjeve të Kosovës për të përmirësuar më tutje qeverisjen edhe për të arritur zhvillimin ekonomik. Derisa publiku ka një rol në përforcimin e qeverisjes së mirë, niveli i ulët i besimit publik dhe skepticizmi ka gjasa të pengojë angazhimin e njerëzve në kërkim të qeverisjes së mirë por edhe në mbështetje të përpjekjeve të pushtetit për të përmirësuar qeverisjen", tha Tuetsch.
Ai po ashtu duke nënvizuar se Misioni i OSBE-së në Kosovë njeh se qeverisja e mirë është tejet e rëndësishme për një demokraci stabile e të shëndoshë dhe një shoqëri të tillë tha se kjo ka rëndësi në nxitjen e investimeve, në krijimin e vendeve të punës, në luftimin e varfërisë, në mbrojten e mjedisit si dhe në promovimin e një prosperiteti të përbashkët e të gjitha kategorive shoqërore.