Saimir Alija
06 Nëntor 2017•Përditësim: 07 Nëntor 2017
TIRANË (AA) - Forumi i biznesit Shqipëri Slloveni ka mbledhur sot në Tiranë zyrtarë të lartë të të dy vendeve, ku në hapje të tij, të pranishëm ishin ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë i Republikës së Sllovenisë, Zdravko Počivalšek (Zdravko Pocivalsek) dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrat Ahmetaj dhe Pocivalsek mbajtën një fjalë përshëndetëse, ku u fokusuan në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Ministri Ahmetaj në fjalën e tij u shpreh se Shqipëria dhe Sllovenia kanë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi në aspektin politik dhe ekonomik. Ky forum sipas tij do të jetë një mundësi e mirë bashkëpunimi në të ardhmen në sektorë me interes të përbashkët.

"Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, jam i bindur se ka hapësira të reja për t'u zgjeruar. Ndaj e konsideroj këtë forum bashkë me biznesin një mundësi shumë të mirë për të shkëmbyer mundësi konkrete bashkëpunimi në të ardhmen në fusha apo sektorë me interes të përbashkët dypalësh. Janë 30 kompani sllovene që shoqërojnë ministrin. Jam i bindur që kompanitë së bashku me Dhomën e Tregtisë të Tiranës do gjejnë mundësi dhe fusha të interesit të përbashkët. Sllovenia si vend anëtar në BE përfaqëson për kompanitë shqiptare një destinacion tërheqës që ndërthur interesin dhe sfidën e një zgjerimi në një treg evropian”, theksoi Ahmetaj.
Duke u ndalur tek bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, Ahmetaj tha se volumi tregtarë me Shqipërinë është akoma modest, 38 milionë euro, por mundësitë për t'u rritur në të ardhmen sipas tij janë të shumta.
“Shqipëria është një treg interesant, me rritje të vazhdueshme dhe mundësi shumë të mira investimi në sektorë të shumëllojshëm, turizëm, energji, infrastrukturë, bujqësi, agro industri, shfrytëzimi i mineraleve dhe pasurive nëntokësore, sektori bankar etj”, përfundoi ministri Ahmetaj.
Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Teknologjisë i Republikës së Sllovenisë, u shpreh se "marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve janë shumë të mira”. Sipas tij, aspekti tregtar i Shqipërisë është një elemnt shumë i rëndësishëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Sllovenia vitet e fundit ka pasur një zhvillim të ndjeshëm ekonomik dhe kjo shikohet si një dritare drejt trgut të Bashkimit Evropian. Sllovenia është një vend i zhvilluar dhe ne kemi një bashkëpunim të thellë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarësimi i tyre në Bashkimin Evropian krijon mundësi të mëdha në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar. Sllovenia e mbështet Shqipërinë në rrugën e anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, theksoi ministri slloven.
Në përfundim të fjalës së tij, ministri Pocivalsek theksoi se mes Sllovenisë dhe Shqipërisë duhet të kemi një bashkëpunim të gjërë ekonomik, i cili "do të jetë një histori suksesi në të ardhmen.
"Forumi një ditor i Biznesit Shqipëri-Slloveni organizohet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Dhoma Tregtisë Sllovene, në bashkëpunim me Ministrinë e e Financave dhe të Ekonomisë së Shqipërisë. Forumi bëri bashkë biznese, investitorë, politikëbërës dhe liderë të industrive nga ndërmarrje apo institucione të ndryshme të të gjitha madhësive, kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim që të nxisë bashkëpunimi ekonomik Shqipëri – Slloveni.
Sektorët për bashkëpunim përfshijnë: Projektet në energji dhe ekologji; energji; bankat dhe kompanitë e sigurimeve, kompanitë e telekomunikacionit, kompanitë e energjisë elektrike dhe të shërbimeve publike, kompanitë e shitjes me pakicë etj. Ministri Ahmetaj dhe ministri Pocivalsek do të zhvillojnë gjatë ditës edhe një takim zyrtar.