Vesna Besiç
02 Prill 2017•Përditësim: 02 Prill 2017
BEOGRAD (AA) – Në orën 20:00 janë mbyllur vendvotimet në Serbi, ku qytetarët serbë votuan sot për zgjedhjen e presidentit të ri, raporton Anadolu Agency (AA).
Në zgjedhjet për president të Serbisë në 8.396 vendvotime të drejtë vote kanë pasur 6.724.949 qytetarë. Në 90 vendvotime kanë votuar edhe në Kosovë. Në Kosovë deri në orën 17:00 në zgjedhjet për president të Serbisë kanë votuar 29.10 për qind të votuesve. Me Kërkesë të Beogradit dhe me aprovim të Qeverisë së Kosovës, OSBE-ja zbaton operacionin e mbledhjes së votave.
Të drejtë vote ka pasur edhe diaspora e cila votoi në 53 vendvotime në 32 vende të botës. Në zgjedhjet presidenciale në Serbi deri në orën 16:00 kanë votuar 46.23 për qind e votuesve, njoftoi Komisioni Republikan Zgjedhor (KRZ).
Misioni i OSBE-së në Kosovë: Zgjedhjet për presidencialet në Serbi të qeta
Në Kosovë thuajse të gjitha vendvotimet për zgjedhjet presidenciale serbe janë mbyllur me kohë, në orën 20:00. Operacionin e mbledhjes së votave e ka bërë Misioni i OSBE-së në Kosovë me leje të autoriteteve të Kosovës.
Sipas rezultateve paraprake, deri në orën 19:50, prej rreth 106.000 votues të regjistruar në Kosovë, në zgjedhjet për president të Serbisë kanë votuar 38.68 për qind ose 40.970 votues, konfirmoi për AA, zëdhënësi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Senad Shaboviç.
Shaboviç theksoi se votimi ka rrjedhur qetë dhe pa parregullsi. Po ashtu theksoi se në bazë të situatës së vlerësuar, OSBE ka vendosur që votat të numërohen jashtë Kosovës, më saktë në Rashkë dhe Vranjë.
Ndërkohë në orën 20:00 në seksionin konsullor të ambasadës së Serbisë në Shkup janë mbyllur vendvotimet ku qytetarët votuan për presidentin e ri të Serbisë.
Nga ambasada e Serbisë në Shkup për AA informuan se pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme presidenciale serbe është 95 për qind, konkretisht të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 134, prej gjithsej 141 persona.
Rezultatet e para paraprake priten rreth orës 22:00.
Në garën për president të Serbisë janë 11 kandidatë. Zgjedhjet për president të Republikës së Serbisë mbahen çdo pesë vite. Procesin zgjedhor e mbikëqyrën gjithsej 1.955 vëzhgues vendor nga katër shoqata dhe 126 vëzhgues të huaj nga 25 organizata, komisione zgjedhore dhe ambasada.