Zülfiya Yakup
08 Janar 2019•Përditësim: 09 Janar 2019
PRISHTINË (AA) - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, u takua sot në Bruksel me anëtarët e Ekipit Negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë, i cili u emërua nga Kuvendi i Kosovës më 15 dhjetor 2018, transmeton Anadolu Agency (AA).
Departamenti për Politikë të Jashtme të BE-së (EEAS) ka njoftuar se Mogherini ka përshëndetur emërimin e delegacionit të Kosovës, duke vlerësuar se "prania e ekipit negociator në Bruksel shihet si një demonstrim i prioriteteve që autoritetet e Kosovës ofrojnë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e cila është e nevojshme për rrugën evropiane të Kosovës dhe e cila ka nevojë për punë të përbashkët për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, me ndihmën e BE-së".
"Takimi ishte një mundësi për shkëmbimin e ideve me përfaqësuesit e Kosovës për dialogun. Në këtë kontekst, përfaqësuesja e lartë përsëriti heqjen e menjëhershme të taksës doganore, të vendosur nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar", thuhet në deklaratë.
Më tej shtohet se që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës duhet një klimë që kontribuon në marrëdhënie të mira fqinjësore, me anë të të cilës respektohen dhe zbatohen marrëveshjet e mëparshme, ku shmangen veprimet dhe deklaratat që nuk janë në përputhje me qëllimet përfundimtare strategjike dhe interesat.
Ekipi Negociator i Kosovës për dialogun me Serbinë, udhëheqet nga bashkëkryesuesit Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.