Ekip
12 Maj 2017•Përditësim: 12 Maj 2017
SHKUP (АА) - Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Shkup ka ngritur padi penale kundër shtatë personave lidhur me incidentet që ndodhën më 27 prill të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Padi penale janë ngritur kundër D.T (42), N.P (39), B.G (43), të gjithë nga Shkupi dhe kundër G.A (43) nga Velesi për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për vepër të kryer penale ‘pjesëmarrje në turmë që do të pengojë personin zyrtar në ushtrimin e detyrës zyrtare’ sipas nenit 348 nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë, ndërsa kundër A.P (39), I.K (37) dhe N.V (39), të gjithë nga Shkupi për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për vepër të kryer penale ‘pjesëmarrje në turmë që do të kryejë vepër penale’ sipas nenit 385 nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
Gjithashtu në kumtesë thuhet se të akuzuarit me dhunë i kanë sulmuar deputetët duke përdorur mjete të ndryshme.
Në përfundim të kumtesës thuhet se MPB-ja në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike vazhdojnë në identifikimin e personave që kanë kryer vepër penale në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill 2017.