Figen Shaban
12 Mars 2018•Përditësim: 12 Mars 2018
PRISHTINË (AA) - Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell ka arritur në Kosovë për një vizitë zyrtare dyditore, raporton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e vizitës së Ndihmës sekretarit Mitchell në Kosovë presidenti Thaçi do të zhvillojë një takim në ndërtesën e aeroportit "Adem Jashari" në Prishtinë. Pas takimit Thaçi dhe Mitchell do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Ndihmës Sekretari amerikan Mitchell gjatë ditës do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Mitchell, i cili ndodhet në Kosovë për të zhvilluar takime me krerët e shtetit, përfshirë presidentin Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj, përfaqësues të tjerë politikë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të riafirmojë marrëdhëniet e ngushta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Ai do të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të zhvillojë dialogun me Serbinë, të forcojë sundimin e ligjit, të nxisë rritjen ekonomike dhe të kapërcejë sfidat rajonale në favor të stabilitetit dhe integrimit perëndimor.
Në kuadër të turneut në shtetet e Ballkanit të filluar nga Prishtina, Mitchell do të vizitojë edhe Maqedoninë, Greqinë, Serbinë dhe Qipron greke.