Ekip
07 Mars 2016•Përditësim: 07 Mars 2016
SEUL (AA) - Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë filluar sot stërvitjen më të madhe ushtarake vjetore deri më tani, pavarësisht kërcënimeve të fundit të dërguara nga Pheniani zyrtar, raporton Anadolu Agency (AA).
Koreja e Veriut ka kërcënuar me "goditje parandaluese bërthamore kundër Koresë së Jugut dhe SHBA-ve" në qoftë se të dy vendet ndërmarrin stërvitjet e përbashkëta ushtarake të planifikuara, ka bërë të ditur Komanda Supreme e Ushtrisë Popullore të Koresë.
Siç njofton agjencia e Koresë së Jugut Yonhap, aleatët do të ushtrojnë sulme të sakta ndaj udhëheqjes së Koresë së Veriut dhe arsenalit bërthamor dhe raketave të këtij vendi në rast lufte.
Stërvitja e madhe ushtarake, e cila ka filluar sot, do të zgjasë për disa javë dhe në të do të marrin pjesë 300 mijë ushtarë të Koresë së Jugut dhe 17 mijë ushtarë amerikanë.
Transportuesit amerikanë të avionëve dhe nëndetësja bërthamore do të përfshihen në stërvitjet ushtarake.