Figen Shaban
13 Nëntor 2017•Përditësim: 13 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Kryesues i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, raportoi për herë të parë para Komisionit për Integrime Evropiane për punën e komisionit që ai drejton lidhur me gjetjet rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Bulliqi kujtoi se komisioni i ri u emërua më 13 tetor dhe i është dhënë detyra për të bërë një vlerësim rreth punës së komisionit të mëparshëm dhe për të gjetur fakte të reja, duke u bazuar në marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ai tha se analiza është bërë në dy drejtime, analiza e materialit të ish-komisionit shtetëror dhe mbledhja e fakteve të reja rreth këtij procesi, të gjitha të bëra në institucione dhe në terren.
“Puna e ish-komisionit ka kaluar kompetencat e veta, ka qenë i themeluar vetëm për një detyrë, demarkamin dhe shënjimin për mirëmbajtjen e kufirit, por në asnjë formë dhënie të re të vijës kufitare. Puna e tyre ka qenë ta identifikojë ish-kufirin administrativ. Kjo ka shkaktuar humbjen e territorit ngase vija kadastrale është shndërruar në vijë administrative.”, tha Bulliqi.
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane kishin kundërshtime ndaj raportimit të Bulliqit. Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj theksoi se "ai nuk ka dëgjuar asgjë të re në lidhje me kufirin me Malin e Zi dhe se komisioni i ri nuk duhet të jetë i shqetësuar për punën e komisionit të mëparshëm".
Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fatmir Xhelili, shprehu zhgënjimin se komisioni aktual, siç tha ai, ishte i papërgatitur. Ndërsa, Zenun Pajaziti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se ai priste më shumë argumente nga ekspertët ose të paktën diçka konkrete.
Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit kufitar është kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Parlamenti i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje të nënshkruar në gusht të vitit 2015 dhe zyrtarët malazezë vazhdimisht kanë deklaruar se kjo çështje është e stërzgjatur.