Figen Shaban
13 Nëntor 2017•Përditësim: 14 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe në partneritet me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), sonte në Prishtinë është bërë hapja zyrtare e konferencës rajonale të sigurisë “NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, me pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ndihmës-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Diplomaci Publike, Tacan Ildem, raporton Anadolu Agency (AA).
Thaçi gjatë fjalës së tij në hapje të konferencës tha se Kosova në vitin 1999 ishte shembulli më i mirë i mundshëm i reagimit të NATO-s dhe botës së qytetëruar ndaj sfidës më të madhe të sigurisë në atë kohë në Evropë.
“Misioni i KFOR-it, i cili është garant i stabilitetit në Kosovë, është misioni më i suksesshëm i paqes në botë për dekada me radhë. Kosova sot është një shtet stabil, i qëndrueshëm dhe me synime të qarta”, tha presidenti Thaçi.
Ai vuri në dukje se Kosova edhe më tutje po përballet me paradokse të llojit të veçantë duke nënvizuar se Kosova është kampion në rajon në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit përkundër faktit se sipas tij ka mbetur e anashkaluar nga anëtarsimi në Interpol.
“Kosova është pa kurrfarë dyshimi shteti më proevropian, më pro NATO dhe më pro amerikan në botë, ndërsa është njëkohësisht shteti më i izoluar sepse qytetarët e saj janë evropianët e fundit që nuk e kanë të drejtën të udhëtojnë pa viza në Evropë. Natyrisht, Kosova mbetet e gatshme për të dhënë kontributin e vet modest kudo në botë, duke marrë pjesë në misionet paqeruajtëse, sepse qëllimi ynë është që të bëhemi pjesë përbërëse e Partneritetit Për Paqe (PFP), dhe të anëtarësohemi në NATO”, theksoi Thaçi.
Ndërsa, ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomaci Publike, Tacan Ildem, gjatë fjalës së tij tha se Ballkani Perëndimor është rajon me rëndësi specifike për NATO-n duke theksuar se NATO mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë e këtij rajoni. “Ne do të vazhdojmë të mbesim të pranishëm këtu, të kemi fokusin këtu dhe të përfshihemi në Ballkanin Perëndimor dhe t'i mbështesim aspiratat euroatlantike të vendeve të rajonit”, tha Ildem.
Në ceremoninë e hapjes përveç përfaqësuesve të lartë të NATO-s dhe ekspertëve rajonal dhe ndërkombëtar e pranishme ishte edhe ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç.
Konferenca vazhdon punimet nesër, ku pritet të marrin pjesë krerët më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, si kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli.