Fatjon Cuka
13 Maj 2017•Përditësim: 14 Maj 2017
TIRANË (AA) - Partitë e opozitës, me në krye Partinë Demokratike të Shqipërisë, kanë mbajtur sot një protestë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe krijimin e qeverisë teknike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbështetësit e opozitës të ardhur pothuajse nga të gjithë qytetet e vendit protestuan përpara selisë së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Në protestë mbajti një fjalim edhe kryetari i opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha. Ai përsëriti qëndrimin e partisë që drejton, por edhe gjithë opozitës për krijimin e qeverisë teknike në vend.
"U bashkuam në këtë shesh për të kërkuar zgjedhje të lira, si themeli i bashkëjetesës demokratike, themel i mirëqenies dhe ardhmes evropiane. U bashkuam në këtë shesh për 85 ditë, shqiptarë nga gjithë Shqipëria, intelektualë, artistë, sportistë, studentë, pensionistë, gjimnazistë, punëdhënës e punëmarrës dhe miq nga e gjithë bota që na qëndruan në krah. Nuk jemi mbledhur për një ndryshim të vogël, por për ndryshimin më të madh gjatë 27 viteve. Gjithçka duhet ndryshojë dhe gjithçka do të ndryshojë", u shpreh Basha gjatë fjalës së tij.
Ai theksoi se zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë, duke shtuar se do të ketë "vetëm zgjedhje me një qeveri teknike".
Strukturat e policisë kishin marrë disa masa shtesë për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë dhe pas zhvillimit të protestës, duke angazhuar mijëra forca policore, ndërsa protesta ka përfunduar pa incidente.
Kujtojmë se partitë opozitare në Shqipëri kanë refuzuar regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe kërkojnë krijimin e një qeveri teknike për organizmin e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit.
Lidhur me kërkesat e opozitës, në javët e fundit u zhvilluan edhe negociata mes drejtuesve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, që udhëheq qeverinë dhe Partisë Demokratike, me ndërmjetësimin e Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, por edhe të institucioneve ndërkombëtare. Negociatat nuk prodhuan ndonjë marrëveshje konkrete për të bindur opozitën që të marrë pjesë në zgjedhje.