Besar Ademi
19 Shtator 2017•Përditësim: 19 Shtator 2017
SHKUP (AA) – Zv/kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, në prezantimin e punës dhe angazhimit të Sekretariatit për Çështje Evropiane për 100 ditët e kaluara të Qeverisë, deklaroi se “Qeveria e re paralelisht me zbatimit e reformave ka punuar në mënjanimin e sfidave që qëndronin në rrugën e integrimit euro-atlantik të vendit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Osmani, i cili prezantimin e bëri në një konferencë për media në hapësirat e Qeverisë së Maqedonisë, theksoi se si Qeveri e re kanë hasur në marrëdhënie të ngrira me partnerët strategjik të cilët, siç tha ai, në mënyrë direkte i drejtoheshin Maqedonisë si vend me institucione të robëruara që kontribuojnë në rikthim prapa në procesin euro-atlantik.
Në vijim Osmani tha se këtë Qeveria e kuptoi si sfidë më të madhe dhe si prioritet më të rëndësishëm, duke shtuar se në 100 ditët e para të Qeverisë së re është punuar në zbatimin e reformave të nevojshme, me qëllim që të zhbllokohet procesi i integrimit.
“Progresi në proceset euro-integruese të Republikës së Maqedonisë për fat të mirë nuk paraqet një rast të izoluar në Ballkan, por është në të njëjtin drejtim të frymës së re të optimizmit evropian rajonal, që është përhapur edhe tek vendet anëtare të Unionit. Në këtë drejtim kam deklaruar se nevojiten hapa konkretë nga ana e Bashkimit Evropian, por edhe nga ana e vendeve anëtare të Unionit, hapa në drejtim të fizibilitetit të perspektivave evropiane të Maqedonisë. Hapa të cilat do të shkonin në drejtim të forcimit të optimizmit evropian në vend dhe në rajon”, deklaroi Osmani.
Osmani poashtu veçoi se në planin e jashtëm Qeveria e Maqedonisë nënshkroi “marrëveshje historike për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”, e cila sipas tij, përcaktoi një trajektore të re të ndërtimit të marrëdhënieve të mira me fqinjët që duhet të rezultojë me klimë të re në raportin pozitiv në zgjidhjen e çështjeve të hapura me Greqinë.
Zv/kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë përmendi edhe Planin 3-6-9, i cili është miratuar në fillim të muajit korrik, bazuar në programin e Qeverisë, Marrëveshjes së Përzhinës, Raportit të Pribes, të Komisionit të Venecias, të Komisionit të Grekos si dhe rekomandimeve OSBE-ODIHR.
Osmani tha se ky plan, që ndahet në tre pjesë, është në fazë të avancuar të zbatimit. Sipas tij, faza e parë e këtij plani është në fazën finale të zbatimit, e cila duhet të kurorëzohet me mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme, fer dhe të lira.
“Maqedonia u bë tregimi pozitiv i Ballkanin, e kundërta e asaj që ishte para disa viteve gjatë krizës politike. U bë vend shembull që përhap optimizëm në rajon. Ne këtë energji patjetër duhet ta mbajmë dhe patjetër ta avancojmë përmes hapave të guximshme që kjo qeveri është duke i bërë, përmes komunikimit dhe përmes kthimit të miqve tanë. Maqedonia i kthen miqtë çdo ditë”, theksoi Osmani, në pyetjen e gazetarëve se çfarë pret nga rekomandimi i ardhshëm i Komisionit Evropian për vendin.