Sibel Vezaj
11 Shkurt 2018•Përditësim: 12 Shkurt 2018
PRISHTINË (AA) - Dy zyrtarë policor të arrestuar dje në veri të Mitrovicës me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Manipulim me prova”, kanë lidhje me vendin e ngjarjes ku është vrarë politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviç, raporton Anadolu Agency (AA).
Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha i cili po heton rastin, ka konfirmuar për AA se policët e arrestuar kanë lidhje me vendin e ngjarjes ku është vrarë politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviç. Ai tha se "Këta janë arrestuar sepse nuk kanë qenë në nivel të detyrës në vend të ngjarjes".
Në një njoftim nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) u bë e ditur se "me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë, hetuesit e IPK-së dhe Policia e Kosovës kanë realizuar urdhëresën për bastisje në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se dy zyrtarë policor kanë kryer veprën penale 'Manipulim me prova' të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Hetuesit e IPK-së dhe PK-së kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe janë bastisur dy lokacione në Mitrovicën e Veriut si dhe është konfiskuar një revole e llojit TT si dhe dy karikatorë me nga 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”, thuhej në njoftim nga IPK.
Në njoftim po ashtu bëhej e ditur se hetuesit e IPK-së me vendim të prokurorit të shtetit kanë arrestuar dy të dyshuar (dy zyrtarë policorë të stacionit policor në Mitrovicën e Veriut) dhe se të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.
Kujtojmë se politikani serb nga Kosova dhe lideri i Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç u vra mëngjesin e 16 janarit para selisë së partisë së tij në pjesën e Mitrovicës me shumicë serbe.