Fatjon Cuka
27 Shtator 2017•Përditësim: 28 Shtator 2017
TIRANË (AA) - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në një takim zyrtar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku mësohet se Meta ka shprehur angazhimin e tij për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, në interes të rritjes së mëtejshme të njohjeve ndërkombëtare si edhe forcimit të perspektivës evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).
Rama-Haradinaj: Bashkim doganor dhe përfaqësi të përbashkëta diplomatike
Takimi është zhvilluar pa praninë e mediave, ndërsa në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë theksohet se Meta përshëndeti gatishmërinë e Haradinajt dhe qeverisë së re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si "një proces pa alternativë dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit të rajonit".
"Presidenti Meta theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në gjithë rajonin, duke theksuar se Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane. Presidenti i Shqipërisë vlerësoi marrëdhëniet e NATO-s me Kosovën, si dhe rëndësinë e ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin", thuhet në njoftim.
Haradinaj do të takohet edhe kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetarin e opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.