Figen Shaban
20 Mars 2017•Përditësim: 21 Mars 2017
PRISHTINË (AA) – Nën organizimin e organizatës jo-qeveritare Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) dhe me përkrahjen e Agjencisë Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) sot në Prishtinë filloi “Java e Gruas 2017”, me temën "Deshifrimi i Integrimit Evropian”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të kësaj jave janë tubuar persona nga profile të ndryshme nga 33 komunat e Kosovës dhe përfaqësues nga të gjitha komunitetet etnike, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuar.
Drejtoresha e NDI në Kosovë, Shari Bryan tha se kur gratë kanë mundësinë të marrin pjesë në proceset e paqes, mundësitë për të arritur tek pajtimi janë më të larta. Bryan po ashtu tha se NDI me organizimin e "Javës së Gruas" ka dhënë një përgjigje të kundërt ndaj nivelit të ulët të pjesëmarrjes së gruas brenda partive dhe proceseve politike në Kosovë.
Kurse ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie tha se pjesëmarrja e grave në politikë, shoqërinë civile dhe ekonominë e një vendi rezulton me prosperitet dhe stabilitet më të madh . Sipas tij, Kosova si një shtet që ka sfida të shumta, duhet ta dijë kuptimin e mirënjohjes, dhe njohjes së rolit të grave që luajnë për ardhmërinë e vendit.
Ndërsa, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën e tij tha se zëri i gruas është shumë i nevojshëm në proceset vendimmarrëse për trajtimin e çështjeve me interes të shtetit dhe shoqërisë kosovare. Thaçi po ashtu vuri theksin tek reforma elektorale dhe organizimi i zgjedhjeve, ku sipas tij “nuk mund t’i mbyllim sytë para faktit që brenda listave ka akuza të mëdha për ndikime dhe për manipulime kur ende viktimat më të mëdha janë femrat”.
“Nuk mjafton vetëm një grua kryetare (kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila) dhe nuk mjaftojnë vetëm 30 për qind të karrigeve obligative, sepse potenciali i gruas kosovare është shumë më i madh”, tha Thaçi.
Ai theksoi se temat e rëndësishme, si demarkacioni, liberalizimi i vizave apo temat aktuale si transformimi i FSK-së nuk janë tema mashkullore apo femërore, por janë tema të përbashkëta. Sipas Presidentit të Kosovës sektori i sigurisë nuk është i kompletuar pa kontributin e grave dhe se gratë duhet ta përkrahin edhe procesin e transformimit të FSK-së.
Thaçi po ashtu bëri të ditur se disa nga miqtë e Kosovës kanë vërejtje sa i përket transformimit të FSK-së, por që kjo nuk ka të bëjë me atë se 'A ta bëjmë apo mos ta bëjmë ushtrinë', por vetëm me mënyrën se si do të ndodhë transformimi.
Në hapjen e "Javës së Gruas", që do të vazhdojë deri më 24 mars, të pranishëm ishin edhe ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha – Sadiku, si dhe shumë deputete nga partitë në pozitë dhe opozitë.