Figen Shaban
06 Shtator 2017•Përditësim: 07 Shtator 2017
PRISHTINË (AA) - Në kuadër të projektit Forumi Ekonomik i Grave, i financuar nga USAID përmes ATRC, Instituti “Riinvest” organizoi tryezën “Gratë në Tregun e Punës”, ku u prezantua raporti si dhe gjetjet e anketës së zhvilluar me 600 gra punëmarrëse, raporon Anadolu Agency (AA).
Sipas gjetjeve të anketës së zhvilluar me 600 gra punëmarrëse në mbarë Kosovën, rreth 30 për qindëshi i grave në sektorin privat kanë kontratë të punës, ndërsa rreth 50 për qind të tyre kanë kontratë me afat të caktuar. Ndërsa njëra nga barrierat me të cilat përballen gratë në vendin e punës janë pagat e ulëta dhe oraret jo të përshtatshme dhe mungesa e fleksibilitetit të orarit të punës.
Nga ana tjetër 51 për qind e grave mendojnë se pushimi i lehonisë i ofruar me ligj është i mjaftueshëm, 94 për qind e grave janë kthyer në punë pas pushimit të lehonisë me pagë dhe pozitë të njëjtë, ndërsa 60 për qindëshi i këtyre grave të cilat u ballafaquan me kushte të ndryshme të punës pas pushimit të lehonisë pësuan ulje pagash.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani në fjalën hyrëse të tryezës tha se gratë në Kosovë janë shumë pak të përfaqësuara në tregun e punës duke theksuar se vetëm një nga 10 bizneset në Kosovë ka pronare femra dhe shumica e këtyre bizneseve janë biznese të vogla dhe në shumicën e rasteve këto biznese raportojnë ta kenë vetëm një punëtor.
“Kur i krahasojmë aktivitetet e grave dhe të burrave në treg të punës rezulton se 78 për qind e të punësuarëve gra janë punëtore, pra punëmarrëse, përderisa ky proporcion tek burrat është 66 për qind. Pra, është shumë i madh proporcioni i punëmarrësve burra që janë edhe punëdhënës. Të punësuar tek gratë janë deklaruar vetëm 12 për qind përderisa tek burrat ky numër është 25 për qind, që është dyfishi”, tha Hashani.
Ndërsa, ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se përkushtimi dhe puna e të gjithë qytetarëve të vendit janë të domosdoshme për t'i tejkaluar pengesat me të cilat përballen gratë në ushtrimin e profesioneve të tyre.
Ajo theksoi se gjetjet e këtij raporti vërtetojnë shqetësimin mbi mosbarazinë gjinore, ku gruaja kosovare ende nuk shihet e barabartë me kolegët e saj.
“Pengesat ligjore për pjesëmarrjen e grave në ekonomi përfshin kufizimet në lirinë e tyre dhe të drejtat mbi pronën dhe trashigiminë, mungesën e qasjes në shërbime financiare dhe në mungesën e mbrojtjës adekuate ligjore nga dhuna”, tha Jahjaga.
Ndërsa, zëvendësdrejtoresha e Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje e USAID-it në Kosovë, Miranda Jolicoeur tha se është me rëndësi që të rritet pjesëmarrja e grave në ekonominë e Kosovës për të siguruar që të gjitha vajzat e Kosovës të rriten duke e ditur që ambiciet dhe ëndrrat e tyre kanë rëndësi të barabartë në familje dhe shoqëri.
“Për të mirën e grave dhe burrave në Kosovë, duhet të gjejmë mënyra për të krijuar politika që janë më të afërta për familje. Në vende të punës, në sektorin publik dhe privat duhet të mënjanojmë diskriminimin dhe ngacmimin që secila fushë të jetë e hapur për secilin kosovar pavarësisht nga gjinia”, tha Jolicoeur.