Besar Ademi
18 Mars 2016•Përditësim: 19 Mars 2016
SHKUP (AA) – Në Qendrën për zhvillim të sipërmarrësve dhe menaxherëve – Maqedoni (CEED) u realizua takim-biznesi për rrjetëzim të kompanive nga të gjitha rajonet e Maqedonisë. Qëllimi i këtij takimi është ndërlidhja e firmave pjesëmarrëse në Projektin e USAIDi-t për ndërmarrje mikro të vogla, të bashkëfinancuara nga Qeveria e Zvicrës dhe e zbatuar nga CEED, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesve të kompanive në takim u mundësohet të njihen me njëri-tjetrin, t’i prezantojnë produktet e tyre dhe shërbimet, si dhe të diskutojnë për biznesin dhe bashkëpunimet potenciale të përbashkëta.
Menaxhere e zyrës së USAID-it për zhvillim ekonomik, Tatjana Markovska theksoi se kompanive të ndryshme individuale u mundësohet edhe ndihmë teknike në fusha të ndryshme sipas nevojës, të tilla si inicimin e standardeve specifike, teknologjive të reja të punës dhe të tjera.
“Përvoja e deritanishme tregon se ky lloj i takimit mundëson që sipërmarrësit të fitojnë partnerë të biznesit me të cilët në të ardhmen do të mund të bashkëpunojnë. Takime të ngjashme si ky organizojmë edhe në nivel rajonal, me vendet fqinje, si Shqipëria, Kosova dhe Serbia”, tha Markovska.
Projekti i USAID-it për ndërmarrje mikro dhe të vogla, i cili ka filluar me punë në korrik të vitit 2011, i mbështet mikro dhe bizneset e vogla përmes trajnimit, rrjetëzimit, mentorimt, konsalting mbështetjes së eksportit dhe aksesit në fondin investues. Aktivitetet e projektit janë implmentuar përmes CEED Maqedoni, i cili është një prej institucioneve në trashëgimi të USAID-it.