Figen Shaban
16 Janar 2018•Përditësim: 17 Janar 2018
PRISHTINË (AA) – Sot në Prishtinë u bë hapja e hapësirave të rinovuara nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) në Shoqatën "Down Syndrome Kosova" (DSK) për ofrimin e shërbimeve terapeutike për fëmijët me sindromën Down, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë në këtë shoqatë ka rinovuar dy dhomat e trajnimit të fëmijëve me sindromën Down, zyrën e administratës, byfenë, si dhe të gjitha dyert dhe dritaret e objektit. KFOR-i Turk ka investuar 7.100 euro për rinovimin e hapësirës së shoqatës DSK.
Në hapjen e projektit i pranishëm ishte ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Shyqiri Bytyqi, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, komandanti i KFOR-it turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, drejtoresha e "Down Syndrome Kosova", Sebahate Beqiri Hajdini, si dhe stafi dhe fëmijët e DSK.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi falënderoi Kryesinë e Këshillit Turk (KFOR-in Turk) për angazhimin që ka bërë në rinovimin e kësaj shoqate.
“Ne si ministri vërtetë jemi duke bërë përpjekje maksimale që të kemi një përgatitje dhe përfshirje për të gjithë fëmijët pa dallim. Përkushtimi i veçantë duhet të jetë për kategoritë e veçanta të fëmijëve tanë që t'u krijojmë kushte për një edukim të mirëfilltë. Krijimi i kushteve për kategoritë e fëmijëve me nevoja të veçanta, përtej përgjegjësisë është mision", tha Bytyqi.
Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, tha se ky është një projekt mjaft me rëndësi. Ajo përgëzoi ministrin dhe drejtoreshën e DSK-së të cilët deri më sot kanë punuar me përkushtim për këtë shoqatë, duke u shprehur, "Le ta dinë dhe le të vazhdojnë ta shohin Turqinë si shtet mik si shtet vëllazëror të Kosovës".
“Jemi shumë të lumtur nëse sadopak kemi arritur të kontribuojmë në aktivitetet e juaja. Ky është një ndër projektet e Kryesisë së Këshillit Turk në Kosovë, projekte të cilat zakonisht realizohen në kuadër të sektorit të arsimit. Këtë projekt pranojeni si një dhuratë të Republikës së Turqisë, të popullit të Turqisë”, tha Kılıç.
Ndërkohë, komandanti i KFOR-it turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım tha se ndjejnë kënaqësinë për realizimin e këtij projekti në kuadër të Kryesisë së Këshillit Turk në Kosovë.
“Ne si kryesi e Këshillit Turk dëshirojmë që fëmijët kosovarë me sindrom Down të edukohen në mënyrë profesionale, të jenë pjesë e shoqërisë ku ndodhen dhe të kenë mundësi të qëndrojnë në këmbë të veta. Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë duhet të përfaqësohen si individ”, tha Barım.
Drejtoresha e DSK, Sebahate Beqiri Hajdini, në fjalimin para të pranishmëve falënderoi KFOR-in Turk në Kosovë i cili ka mundësuar rinovimin e kësaj shoqate. Ajo poashtu shprehu falënderimet e saj për stafin e DSK-së duke theksuar se ata bëjnë një punë të palodhshme në këtë shoqatë duke qenë të angazhuar vazhdimisht dhe jo vetëm tetë orë në ditë.
Kujtojmë se më 5 dhjetor të vitit 2017, Shoqata "Down Syndrome Kosova" dhe KFOR-i Turk (CIMIC) nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për rinovimin e hapësirës së DSK-së qendra në Prishtinë.