Figen Shaban
06 Mars 2017•Përditësim: 07 Mars 2017
PRISHTINË (AA) -Organizata jo-qeveritare Demokraci Plus sot prezantoi platformën online ndreqe.com, e cila mundëson komunikimin e komunave me qytetarë për rregullimin e shërbimeve publike komunale në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Përmes ueb-faqes së platformës ndreqe.com, qytetarët mund të raportojnë shqetësimet e tyre duke ngarkuar fotografitë e parkimeve ilegale, gropave në rrugë, trotuareve të dëmtuar, mbeturinave, ndriçimit publik dhe pirjes së duhanit brenda. Në platformë raportohen ankesat e lagjeve apo fshatrave dhe të gjitha raportimet pasqyrohen në hartat interaktive të komunave.
Jetmir Bakija, nga OJQ-ja Demokraci Plus tha se kanë prezantuar platformën në fjalë në përvjetorin e parë të themelimit të OJQ-së "Demokracia Plus", duke shtuar se ndreqe.com është themeluar me qëllim të rregullimit të shërbimeve publike.
“Platformën e kemi themeluar për dy arsye, e para është që qytetarët ta kenë më të lehtë të raportojnë problemet apo ankesat që i kanë në lagjet e tyre. E dyta arsye është që t’ia lehtësojmë punën komunave për t’i kanalizuar të gjitha ankesat në një hartë interaktive për të komunikuar me qytatarët”, tha Bakija.
Kurse, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj tha se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me USAID-in dhe qeverinë zvicerane ka instaluar sistemin e menaxhimit të performancës komunale. Ajo ka theksuar se raportimi i qytetarëve në kualitetin e shërbimeve komunale përmes platformave të tilla është një përpjekje e përbashkët shoqërore dhe institucionale për të pasur shërbime sa më të mira.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës, Mitrovicës, Suharekës dhe Graçanicës kanë nënshkruar marrëveshje me OJQ-në Demokracia Plus për fillimin e instalimit të sistemit online ndreqe.com brenda lagjeve të këtyre komunave. Po ashtu brenda ueb-faqeve të komunave qytetarët së shpejti mund të gjejnë një baner i cili ju mundëson raportimin e shqetësimeve publike më lehtë.