Admir Fazlagikj
06 Qershor 2017•Përditësim: 07 Qershor 2017
SHKUP (AA) - Mijëra njerëz u mblodhën sot në sheshin qendror në Shkup për të mirëpritur hendbollistët e Vardarit, të cilët u stolisën me titullin e kampionit evropian për klube, pas fitores të arritur të dielën në Këln të Gjermanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Me flamujt e Maqedonisë në duar dhe me brohoritje frenetike të masës së tubuar, mijëra qytetarë të tubuar përshëndetën kampionët evropian në hendboll.
Lojtarët e klubit mbajtën fjalime para tifozëve të tubuar, duke i falënderuar ata për përkrahjen e vazhdueshme të cilën ua kanë dhënë gjatë viteve të kaluara, sidomos për përkrahjen të cilën e kanë ofruar në ndeshjen finale kundër francezëve të PSG-së.
Të pranishmëve iu drejtua edhe trajneri i klubit hendbollistik Vardar, Raul Gonzalez, i cili vuri në dukje se e gjithë Maqedonia është krenare për këta lojtarë që luajtën me zemër.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov mori vendim që t’i dekorojë anëtarët e klubit te hendbollit Vardar me “Medalje për merita për Maqedoninë”, ndërsa KH Vardar do t’i ndahet mirënjohja e lartë “Karta e Republikës së Maqedonisë”.
Vardari u shpall kampion evropian të dielën, pasiqë në Këln të Gjermanisë triumfoi në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj klubit francez Paris Saint-Germain me rezultatin 24:23.