Admir Fazlagikj
06 Qershor 2017•Përditësim: 06 Qershor 2017
SHKUP (AA) – Hendbollistët e Vardarit, të cilët ditë më parë u shpallën kampionë evropianë, kanë mbërritur në Shkup, me ç'rast në aeroportin "Aleksandri i Madh" u pritën nga një numër i madh qytetarësh të cilët erdhën për t'i nderuar kampionët e rinj evropian, dhe për t'i uruar ata për suksesin e arritur, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas asaj që u paralajmërua më herët, pas mbërritjes në aeroport, kampionët do të nisen drejt Shkupit ndërkohë që autobusi i tyre do të parakalojë në rrugët kryesore të kryeqendrës së Maqedonisë, ku pritet të dalë një numër i madh qytetarësh.
Në fund të shëtitjes nëpër rrugët e qytetit, hendbollistët e Vardarit, pritet që përmes portës "Maqedonia", të ndalen në sheshin kryesor të qytetit ku do të organizohet pritja qendrore.
Vardari u shpall kampion evropian të dielën, pasiqë në Këln të Gjermanisë triumfoi në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj klubit francez Paris Saint-Germain me rezultatin 24:23.
Golin e fitores në sekondën e fundit e shënoi Ivan Çupiç, me çka Maqedonia pas 15 vitesh ka përsëri një kampion të vetin evropian në hendoll, pasi më herët Kometall Gjorçe Petrov u stolis me titullin e njëjtë, mirëpo në kategorinë e femrave.
Me këtë rast, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov vendosi t'u ndajë anëtarëve të klubit Vardar "Medaljen për Merita për Maqedoninë", ndërsa klubit do t'i jepet mirënjohja e lartë "Karta e Republikës së Maqedonisë".