Sibel Vezaj
25 Nëntor 2017•Përditësim: 26 Nëntor 2017
PRIZREN (AA) - Sot në qytetin e Prizrenit në Kosovë përmes një programi është shënuar 24 Nëntori, Dita e mësimdhënësve turq, raporton Anadolu Agency (AA).
Në programin e organizuar me temën “Festa e 24 Nëntorit, Ditës së Mësuesve" dhe seminari "Trajnimi në Shërbim” morën pjesë një numër i madh i mësimdhënësve të arsimit në gjuhën turke në Kosovë.
Gjatë fjalimit të saj ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç theksoi vlerën dhe rëndësinë e profesionit të mësimdhënësve.
“Komuniteti turk i Kosovës me një përpjekje për më shumë se gjysmë shekulli po e mbron gjuhën e vet. Dhe padyshim që në këtë sukses kontributi më i madh është i mësuesve tanë. Ju nuk po e mbani gjallë vetëm gjuhën turke dhe arsimin, por në të njëjtën kohë po e ndërtoni një komunitet turk të ndershëm, të rritur mirë, i cili është integruar në popullin e Kosovës. Dhe ja, për këtë arsye ju keni një vend dhe vlerë shumë më ndryshe se çdo kush dhe çdo profesion tjetër”, deklaroi Kılıç.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Mësimdhënësve Turq të Kosovës (KTÖD), Akif Gaş, tha se qëllimi i kësaj shoqate është mbrojtja dhe mbajtja gjallë e arsimit në gjuhën turke në Kosovë. Ai shprehu falënderimet e tij për Ambasadën e Turqisë në Prishtinë, Konsullatën e Turqisë në Prizren, TIKA-n dhe Institutin "Yunus Emre" për mbështetjen e dhënë deri më sot për këtë shoqatë.
Shënimi i kësaj date u bë në organizim të Ambasadës së Turqisë në Kosovë, në koordinim me Institutin "Yunus Emre" në Prishtinë, Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Shoqatën e Mësimdhënësve Turq në Kosovë (KTÖD).
Në kuadër të këtij programi u mbajtën seminare me tema të ndryshme nga drejtori i Institutit "Yunus Emre" në Prishtinë Dr. Mehmet Ülker, si dhe nga Prof. Dr. Halil İbrahim Yalın, i cili ka ardhur nga Turqia. Në këtë program të pranishëm ishin edhe ministri i Administratës Publike në Kosovë Mahir Yağcılar si dhe përfaqësuesit e institucioneve turke në Kosovë.
Kujtojmë se 24 nëntori në Turqi festohet si Dita e Mësuesit.